Ndonëse pensionistët kishin leje sot deri në orën 10:00 të shëtisnin dhe familjet me fëmijë po njësoj, shumë prej tyre apo banorë pranë liqenit nuk kanë mundur të kalojnë disa orë në natyrë e ajër të pastër pranë parkut më të madh në Tiranë.

Policia bashkiake ka rrethuar mëngjesin e sotëm parkun e Liqenit Artificial duke mos lënë askënd të shijojë momente në natyrë. Gazetarja Ida Ismailaj raportoi për “BalkanWeb” se në orët e para të mëngjesit është bllokuar vetëm pjesa ku ndodhet palestra, ndërsa më pas në mesditë është rrethuar i gjithë parku dhe nuk është lejuar askush të vijojë shëtitjen.

Të pyetur, policët bashkiakë që kanë rrethuar me shirit si skenë krimi gjithë zonën e liqenit, kanë deklaruar se kanë marrë urdhër por pa dhënë shpjegime të mëtejshme.

Ministria e shëndetësisë publikoi dje udhëzimin e plotë për këtë fundjavë, lidhur me lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve, si dhe për hapjen e aktiviteteve dhe bizneseve.

Në urdhrin e firmosur këtë mbrëmje, MSH bën me dije se edhe kjo fundjavë do të jetë e mbyllur në qytetet për pjesën më të madhe të aktiviteteve ekonomike, ku do të lejohen vetëm dyqanet ushqimore dhe farmacitë, gjatë ditës së shtunë, deri në orën 21:00, ndërsa e diela do të jetë totalisht e mbyllur.

Ndërkohë, sa i takon lëvizjes, e shtuna dhe e diela do të jenë për këmbësorët pensionistë dhe prindërit me fëmijë.