Përjashtohen nga detyrimi për të paguar kontribute shoqërore personat të cilët tashmë përfitojnë një pension pleqërie dhe janë të vetpunësuar.Projektligji për sigurimet shoqërore është dorëzuar në Kuvend ku pritet të nisin edhe diskutimet. Në këtë mënyrë qeveria do tu japë mundësinë pensionistëve të vetëpunësuar që të mos paguajnë më kontributet shoqërore, të cilat nuk kanë asnjë efekt në pensionin  e tyre.

Nga kjo nismë përfitojnë rreth 1500 të moshuar të pensionit të pleqërisë të vetëpunësuar në sektorin privat, të cilët deri më tani kanë derdhur çdo muaj rreth 9500 lekë për efekt të sigurimeve shoqërore.

Vetëm kjo kategori në buxhetin e sigurimeve shoqërore derdhen rreth 169 milionë lekë në vit.

Por ky përjashtim nuk është bërë për pensionistët e punësuar në biznese të ndryshme. Në relacion shpjegohet se përjashtimi nga pagimi i kontributeve pensionistëve të punësuar në sektorin privat do të deformonte tregun e punës, do të dëmtonte skemën e sigurimeve shoqërore dhe do të sillte problematika lidhur me administrimin fiskal.

Punëdhënësit do të ishin të prirur të punësonin pensionistë, ndërkohë që përjashtimi i pensionistëve të vetëpunësuar me statusin e personit fizik në sektorin privat nuk do të përbënte një problem, përveç pakësimit të të ardhurave në degën e sigurimeve shoqërore

Për këtë arsye në draft është parashikuar  se do të mundësohet lehtësimi nga barra e pagesës së kontributeve vetëm të pensionistëve të pleqërisë që vetëpunësohen si të vetëm në sektorin privat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re