Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se “pensionistët në Shqipëri, njerëzit më të mjerë në Evropë”, ndërsa akuzoi mazhorancën se “nuk iu interesojnë dhimbjet e njerëzve, por rrisni rrogat e gjyqtarëve të Kushtetueses”.

“Po juve nuk u interesojnë dhimbjet e njerëzve, nuk u interesojnë hallet e tyre, nuk u interesojnë lotët e mjerimit të qindra mijëra shqiptarëve që mezi sigurojnë kafshatën”, u shpreh ai.

Sali Berisha: “Diskutohet këtu për fondet private të pensioneve. Këto janë një ligjësi në shumicën e vendeve.

Nëse ka sot njerëz më të mjerë në Europë, janë pensionistët shqiptarë, të cilët janë përballur sipas Eurostatit, nga viti 2021 në vitin 2023, me një rritje të indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, rreth 70-80 përqind. Dhe se janë jashtë mundësisë së ekzistencës së tyre.

Sot, skema e pensioneve ekzistuese fakton se 48 përqind e pensionistëve janë me pension të pjesshëm.

Do më lejoni këtu t’u lexoj, një pensioniste: merr pension pleqërie i plotë, a mund ta imagjinoni ju, 6259 lekë të vjetra. Merr kompensim i shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë, 200 lekë.

Imagjinoni ju dhe asnjë prej jush nuk ngrihet këtu të japë përgjigje këtij problemi. Dhe përgjigjia është vetëm një: vendosja e minimumit jetik për çdo shqiptar.

Çdo lloj mase që mund të merret në rrafshin financiar është absolutisht e justifikuar 100 përqind për të vendosur minimumin jetik.

Ndaj dhe këto që thoni ju janë hipokrizi, janë lot krokodili, janë pashpirtësi.

Si kjo zonjë janë 48 përqind e pensionistëve dhe ne rrimë këtu e citojmë pensionet e larta në fshat dhe pensionet e larta në qytet. Po këta që janë me pension të pjesshëm dhe që janë 48 përqind e pensionistëve? Edhe ato të lartat nuk arrijnë kurrkund. Ato të fshatit janë inekzistente.

Çmimet, nuk po them nga viti 2013, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, në vitin 2023 është 70-80 përqind më e lartë se në vitin 2021, sipas Eurostat.

Eurostat tregon se Shqipëria ka një inflacion të paktën 17.5 përqind më të lartë se sa e tregon Instati. Po juve nuk u interesojnë dhimbjet e njerëzve, nuk u interesojnë hallet e tyre, nuk u interesojnë lotët e mjerimit të qindra mijëra shqiptarëve që mezi sigurojnë kafshatën.

Rrisni rrogat, vendimi që keni sjellë për të rritur rrogën e gjykatësve në 7 mln lekë.”

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re