Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se rritja e pensioneve është vetëm një lëmoshë që i jep qeveria.

Me anë të një postimi në Facebook, deputetja demokrate shprehet se pensionet u rriten me vetëm 50 lekë në ditë, ndërkohë që çmimet e produkteve të shportës janë rritur me 30%.

Sipas saj, skema e reformës së pensioneve ka dështuar, ndërsa qeveria refuzon ta shohë.

“Dje parlamenti diskutoi për reformën e pensioneve, sigurisht prej zhurmës së ditës shumë u humb.

Në fund të ditës 50 lekë shtesë në ditë, premton qeveria për pensionet, 50 lek shtesë për mbijetesën.

Çfarë mund të blejë një pensonist me 50 lek, kur cmimet janë rritur pothuajse 30%? Kur çdo produkt i shportës duke filluar nga vaji, sheqeri dhe çdo ushqim tjetër është rritur me 30%, si mund të mbijetojë një pensionist me 50 lek në ditë?

Sigurisht që këto shifra nuk janë të reja, këto shifra vijnë mbas dështimit të reformës pensioneve, mbas dështimit të një skeme e cila qeveria refuzoj ta shihte.

Kemi nje informalitet të lartë, kemi një largim shumë të madh të të rinjve edhe kemi një moshë në plakje në rritje, sot 1/3 e popullsisë është moshë pensioni.

Ndërkohë që çdo vit shtohen 15.000 pensionistë. E kush është përgjigja e qeverisë? Lëmosha e ditës!”, shkruan Tabaku.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re