Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagon), në lidhje me ndihmën e tyre të pakushtëzuar me armë për Izraelin, i cili vazhdon sulmet e tij kundrejt Gazës, ka theksuar se “Ne presim që çdo partner ose aleat të cilit i ofrojmë ose e furnizojmë me armë, të respektojë ligjet e konfliktit të armatosur”.

Zëvendës-zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh në një konferencë ditore për media vlerësoi zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Ndaj pyetjes së gazetarit të Anadolu-s lidhur me ndihmën e tyre të pakushtëzuar me armë për Izraelin dhe nëse kanë biseduar zyrtarët amerikanë me homologët e tyre izraelitë që këto armë të mos shkaktojnë humbje civile, Singh tha “Ne presim që çdo partner ose aleat të cilit i ofrojmë ose furnizojmë me armë, të respektojë ligjet e konfliktit të armatosur që zbatojmë edhe ne”.

Ndërsa ndaj pyetjes nëse janë apo jo në kontakt me Izraelin kundër rrezikut se humbjet civile mund të rriten edhe më shumë në rast se Izraeli përhap operacionin e tij tokësor edhe në jug të Gazës, Singh tha se civilët e pafajshëm nga veriu i Gazës u strehuan në jug për sigurinë e tyre.

Zëdhënësja bëri të ditur se nuk dëshiron të flasë bazuar në supozime, sepse Izraeli ende nuk ka pasur ndonjë operacion tokësor kundrejt Gazës jugore, dhe po ashtu ajo përsëriti se në të gjitha bisedimet e kryera me Izraelin kanë kërkuar respektimin e ligjit humanitar dhe të konfliktit të armatosur.

Në përgjigje të pyetjes nëse grupi i Planit të Veprimit për Reagim dhe Zbutjen e Dëmit Civil (CHMR-AP) i krijuar nga Pentagoni vitin e kaluar, ka kryer apo jo një hetim për viktimat civile në Gaza, Singh vuri në dukje se grupi në fjalë vazhdon të marrë informacion nga burimet publike dhe kanalet e veta dhe se ka informuar zyrtarët e nivelit të lartë të Pentagonit.

CHMR-AP u krijua nga Pentagoni më 25 gusht për të “lehtësuar dëmet civile që burojnë nga operacionet ushtarake dhe për të zhvilluar mënyrën e reagimit (kundërpërgjigjes) ndaj këtyre”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re