SHBA kanë thënë se do të “mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s” pasi raketat ruse raportohet se goditën anëtarin e aleancës Poloninë, duke vrarë dy persona.

Zëdhënësi i Pentagonit Pat Ryder nuk mundi të konfirmonte menjëherë nëse shpërthimet ishin rezultat i sulmeve me raketa ruse, por tha se Departamenti i Mbrojtjes po punonte për të konfirmuar këto raporte.

“Ne jemi të vetëdijshëm për raportet e mediave për këtë. Nuk kemi asnjë informacion në këtë moment për t’i konfirmuar ato raporte, por ne ende po i marrim seriozisht dhe po hetojmë akuzat,” u tha Ryder gazetarëve në Pentagon.

“Nuk dua të spekuloj apo të futem në pyetje hipotetike. Kur bëhet fjalë për detyrimet tona të sigurisë dhe nenin 5, ne e kemi të qartë se do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s,” shtoi ai.

Raketat goditën fshatin Przewodow në Poloninë lindore ndërsa Ukraina përballet me një valë sulmesh raketore që synojnë infrastrukturën energjetike të vendit të shkatërruar nga lufta, duke lënë miliona pa energji elektrike.

Disa raketa ruse goditën objektivat në pjesën perëndimore të Ukrainës pranë kufirit me Poloninë.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki thirri një takim urgjent të nivelit të lartë për të diskutuar këtë çështje, njoftoi zëdhënësi i qeverisë Piotr Muller, pak pasi filluan raportimet për shpërthimin në fshatin Przewodow.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re