Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së (Pentagon), John Kirby deklaroi se Rusia në 24 orët e fundit është tërhequr duke zhvendosur në zona të tjera 20 për qind të forcave të saj në veri të Kievit, kryeqytetit të Ukrainës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në një konferencë ditore për media, Kirby tha se drejt Bjellorusisë janë tërhequr disa prej forcave që Rusia ka të vendosura përreth Kievit.

“Në 24 orët e fundit kemi vërejtur se Rusia ka filluar të zhvendosë një pjesë të vogël të batalioneve taktike dhe të ushtarëve të vendosur përreth Kievit”, tha Kirby.

Ai vuri në dukje se trupat e tërhequr nuk janë kthyer në bazat nga kanë ardhur. “Nëse rusët do të ishin të sinqertë për uljen e tensioneve për të cilën pretendojnë, do t’i dërgonin ushtarët e tërhequr në garnizonet e tyre. Por, nuk po e bëjnë këtë”, tha Kirby.

Zëdhënësi i Pentagonit theksoi se 20 për qind e ushtarëve në fjalë janë tërhequr përreth rajonit Hostomel dhe se kanë vërejtur që disa forca ruse kanë filluar të tërhiqen edhe nga zona përreth Çernobilit.

Duke iu përgjigjur pretendimeve se ushtria ruse e informon gabimisht presidentin rus Vladimir Putin lidhur me operacionet ushtarake, Kirby tha se kanë të njëjtin mendim për këto pretendime por që nuk do të hyjë në detajet e inteligjencës për këtë çështje.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re