Zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder ka deklaruar se Turqia ka një partneritet të rëndësishëm me SHBA-në në skenën globale.

Duke folur për gazetarët në një konferencë për media, Ryder foli edhe mbi vendimin e mundshëm të Pentagonit drejtuar Kongresit Amerikan për përfundimin e marrëveshjes për shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Turqi.

Ryder tha se është një vendim që duhet të merret nga Kongresi, duke shtuar se “SHBA-ja dhe Turqia janë pjesë e një aleance dhe ata janë një partner i rëndësishëm jo vetëm në rajon, por në mbarë botën”.

I pyetur nga AA sa e rëndësishme është kjo shitje e mundshme për marrëdhëniet ushtarake, që viteve të fundit janë tensionuar për shkak të disa çështjeve, Ryder theksoi se SHBA-ja e sheh Turqinë si një “aleate të rëndësishme”.

“Sigurisht, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet dypalëshe midis SHBA-së dhe Turqisë, ne gjithmonë kemi thënë se Turqia është një partner i rëndësishëm dhe aleat i rëndësishëm. Dhe kështu, ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me udhëheqësit e Turqisë mbi atë se si mund ta forcojmë atë marrëdhënie dhe të sigurojmë që nevojat tona reciproke të mbrojtjes të merren parasysh”, tha Ryder.

Javën e kaluar, sipas burimeve të AA-së, Departamenti i Shtetit dërgoi në Kongres vendimin për shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Türkiye për një rishqyrtim.

Burimet që folën për AA në kushte anonimiteti thanë se vendimi për shitjen u është përcjellë kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve përkatëse në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatit.

Departamenti i Shtetit pritet të shpallë zyrtarisht vendimin e tij këtë javë. Vendimi për shitjen e avionëve më pas do të kalojë përmes një afati 15-ditorë ku ligjvënësit do të debatojnë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re