Ne kemi nevojë për 3 sekonda për të formuar të qeshurën brenda nesh dhe për 3 sekonda të tjera për ta mbajtur të qeshurën në fytyrë.
Nëse nuk i japim të qeshurës kohën për të cilën ajo ka nevojë, rrezikojmë që të përcjellim tek tjetri një grimacë buzëqeshjeje në tentativë, një ngërdheshje ose, ca më keq akoma, një përqeshje.
E keni dëgjuar me vëmendje gjuhën e një buzëqeshjeje?
Ka buzëqeshje që të thotë: “Të dua!”.
Ka buzëqeshje që të thotë: “Të lutem, mos më pyet më sepse nuk e di përgjigjen dhe ndjehem në siklet!”.
Ka buzëqeshjeje që të thotë: “Faleminderit që je këtu për mua!”.
Ka buzëqeshje që të thotë: “Më fal!”.
Ka buzëqeshje që të thotë: “Ah, sikur ta dije sa e trishtuar jam!”.
Ka buzëqeshje që të thotë: “E di që ti po vuan, por nuk je vetëm. Unë jam me ty!”.
Ka buzëqeshje që të thotë: “Mos guxo të më afrohesh se unë jam mësuar të mbroj veten dhe mund të të lëndoj!”.
Ka buzëqeshje që të thotë: “Le të mos flasim! Jetohet edhe në heshtje!”…
Mua më pëlqen t’i shikoj njerëzit kur buzëqeshin. Sipas meje, pas shikimit, buzëqeshja është porta më e madhe që dikush hap për të futur tjetrin tek vetja.
E megjithatë, bëni kujdes kur porta e buzëqeshjes hapet, sepse jo gjithmonë do të gjeni aty brenda lumturinë, sikurse mund të mendoni.
Nga të gjitha buzëqeshjet, ajo më tronditësja, më therësja, më e fuqishmja dhe më e mbarsura me lotë që fshihen, është buzëqeshja e një njeriu të trishtuar.
Kur hapet porta e një buzëqeshjeje të tillë, lini gjithçka tek dera, edhe ato shumëçka gjykoni se janë të mirat tuaja. Braktisni gjithçka keni: pyetjet, arsyetimin, gjykimin, dhembsurinë, altruizmin.
Kur hapet porta e një buzëqeshjeje që të thotë: “Të lutem ndihmomë!”, gjithçka për të cilën do të keni nevojë është të armatoseni me një ndjenjë të pakufijtë dashurie për tjetrin.
Dhe ju siguroj, me sigurinë më të madhe që një i gjallë mund t’i japë një të gjalli, se kur të ktheheni nga ai udhëtim në shpirtin e tjetrit, ju do të ndjeheni poaq të ndihmuar prej tij.
Vetëm mos harroni! Jashtë portës së shpirtit të një njeriu që buzëqesh, edhe pse vuan, lini gjithçka. Mbi të gjitha, lini jashtë dhimbjen tuaj…
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re