Nga Silvana Kola-Loka
(Psikologe)

Sot më është kujtuar gjyshi im. Quhej Petro. I lindur në një fshat të Sarandës, u martua me shoqen e tij të fëmijërisë, gjyshen time Aleksandra.

Ishte natyrë shumë interesante, shumë shakaxhi dhe i mprehtë. Kishte një aftësi të mahnitshme për të të treguar pafund histori që lidheshim me situatën, sa ndonjëherë dikush e kishte të vështirë të kuptonte nëse ishin histori të vërteta apo të trilluara. Dhe, nëse dikush do të donte të dinte realisht sesi qendronte e vërteta, mjaftonte të pyeste gjyshen time të mirë. Ajo nuk ‘mësoi’ kurrë të gënjente.

Gjyshi im e dashuronte jetën, pavarësisht gjithçkaje që kishte ndodhur në jetën e tij. Mbi gjithçka dhe të gjithë, ai dashuronte gjyshen time. Vazhdimisht i kërkoja të më tregonte për dashurinë e tyre sepse më dukej vetja sikur shikoja një përrallë. Dhe ajo histori dashurie ishte e vetmja histori që ai nuk e tjetërsonte asnjëherë dhe askush nuk ndjente nevojën të pyeste gjyshen për vërtetësinë e saj.

Sot më kujtohet veçanërisht një element: distanca fizike që ata duhet të mbanin: shiheshin me sy ose flisnin përmes të tjerëve. Puthja e parë dhe prekja fizike erdhi vonë, shumë pak kohë përpara se të fillonin të jetonin bashkë. Ai kishte vetëm 4 muaj diferencë në moshë me gjyshen. Dhe jetuan gjithë jetën bashkë: si fëmijë në oborrin e përbashkët të shtëpive të tyre në fshat dhe si të rritur në një apartment të vogël të mbushur gjithnjë me zëra fëmijësh, ndër ta edhe unë, mbesa e parë, të cilën e panë gjithnjë si vajzën e tyre të vogël.

Dhe mua gjithnjë më bënte përshtypje sesi ata nuk putheshin asnjëherë në sytë tanë, por arrinin gjithnjë ta mbushnin ajrin rreth tyre me aq shumë dashuri dhe përkujdesje për njëri-tjetrin.

Gjyshi im u sëmur përpara disa vitesh, dhe situata përkeqsohej ditë pas ditë. Një mbasdite, kur unë kisha rradhën të qendroja në dhomë me atë, më kërkoi të thërrisja gjyshen. Ajo erdhi, ashtu e butë dhe pa zhurmë, dhe iu ul në krah, me fytyrën përballë.

Unë u ngurtësova. Një zë më ulërinte së brendshmi që të ikja dhe t’i lija vetëm. Por nuk lëvizja dot nga vendi, si të isha përballë një magjie. Ca më shumë akoma, sikur po dëshmoja një akt sublim.

Pa folur asnjë fjalë, absolutisht asnjë, gjyshi filloi t’i përkëdhelte çdo tipar të fytyrës. Një herë i hapte sytë e një herë i mbyllte. Ia kaloi dorën në fytyrë shumë herë, shumë gjatë. Koha kishte ndalur për ata edhe për mua. Nuk doja as të merrja frymë sepse më dukej sikur do ta prishja magjinë.

Gjyshi jetoi edhe pak ditë pas kësaj. Unë dhe ai patëm edhe një herë mundësinë, ashtu kokë më kokë, ta kujtonim dhe të qeshnim me sinjalet e dashurisë që gjyshja ime i kishte dhënë duke ndërruar shaminë e kokës.

Dhe unë ndjeva se prekja që kisha dëshmuar disa ditë më parë, në vend ta kishte bërë dashurinë e tyre më të vërtetë, e kishte bërë edhe më sublime. Aq! Ajo prekje kishte mjaftuar për të më përcjellë fuqinë e kontaktit fizik.

Në një kohë kur intimiteti dhe sensualiteti shpërfaqen dhunshëm, unë po mendoj se gjyshërit e mi e kanë ditur se gjithçka për të cilën njeriu ka nevojë, është të kesh një njeri të dashur për të prekur; të vdesësh dhe të jetosh me kujtimin e prekjes së dashurisë!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re