Diebedo Francis Kere, i lindur në Burkina Faso, u nderua me Çmimin e Arkitekturës Pritzker, i njohur si “Nobeli” në botën e arkitekturës dhe konsiderohet si çmimi më i rëndësishëm në këtë fushë.

Sipas njoftimit të bërë në “www.pritzkerprize.com”, arkitekti dhe aktivisti 57-vjeçar, Kere ishte fituesi i Çmimit të Arkitekturës Pritzker 2022. Ky çmim iu dha për herë të parë në histori një arkitekti afrikan.

I lindur në vitin 1965 në fshatin Gando në Burkina Faso, Kere u largua nga vendlindja për të studiuar në moshën 7-vjeçare, sepse në fshatin e tij nuk kishte shkollë.

Kere fitoi një bursë profesionale për zdrukthtari në 1985 dhe shkoi në Berlin. Kere, i cili merrte shkollimin për zdrukthtari gjatë ditës, vazhdoi shkollimin në shkollën e mbrëmjes.

Pasi mori një bursë nga “Technische Universität” në Berlin në vitin 1995, Kere mori diplomën master në arkitekturë në vitin 2004.

Edhe pse Kere vazhdoi jetën e tij në Gjermani, ai nuk u shkëput kurrë nga rrënjët e tij dhe filloi të mblidhte donacione për të ndërtuar një shkollë në fshatin e tij të lindjes.

Projekti i parë i Kere-s, i cili përpiqet që fëmijët e fshatit të shkollohen në klasa komode ku ata jetojnë, ishte godina e shkollës në fshatin ku lindi në Gando.

– Shkolla që ndërtoi në fshatin e tij u bë pikë kthese në profesionin e tij

Projekti “Shkolla Fillore Gando”, të cilin Kere e ndërtoi me vendasit në vitin 2001 dhe ndërthuri materialet lokale me arkitekturën moderne, u nderua me Çmimin e Arkitekturës “Aga Khan” në vitin 2004.

Kere themeloi kompaninë e tij “Kere Architecture” në vitin 2005. Ai zhvilloi projektin e ‘Shkollës Fillore Gando’ dhe shtoi pjesën e shkollës së mesme si dhe ndërtoi ndërtesa të shërbimit shëndetësor në vendin e tij.

Në një intervistë që dha për mediat amerikane pasi u nderua me çmimin Pritzker, Kere deklaroi se në këtë sukses ka pasur efekt edhe fshati Gando. “Sikur të mos kisha guxuar të kthehesha në shtëpi dhe të kisha ndërtuar atë shkollë, e cila ishte në fillim të karrierës sime, së bashku me banorët, nuk do të kisha mundur ta marr këtë (çmim)”, tha ai.

– Projekte në Senegal dhe Benin

Duke punuar në shumë vende afrikane nga Togo në Ugandë, Kere ka ndërmarrë shumë projekte në Danimarkë, Gjermani, Itali, Britani dhe SHBA.

Kere, i cili ka marrë shumë çmime në këtë fushë ka dalë në pah me metodën e tij si një arkitekt që i kushton vëmendje përdorimit të materialeve vendase si dhe për të qenë një arkitekt i suksesshëm.

Ai ndërmori dizajnin e vitit 2017 të Pavijonit Serpentine në Londër, i cili filloi me Zaha Hadid në vitin 2000 dhe i dorëzohet një arkitekti të ndryshëm çdo vit.

Projektet e vazhdueshme të Kere-s përfshijnë Institutin Goethe në Dakar të Senegalit dhe Asamblenë Kombëtare të Beninit, të frymëzuar nga pema Baobab që rritet në savanën afrikane.

– Çmimi i Arkitekturës Pritzker

I konsideruar si “Nobeli” i arkitekturës, Çmimi i Arkitekturës Pritzker u është dhënë arkitektëve që kanë dhënë kontribut domethënës në shoqëri dhe arkitekturë çdo vit që nga viti 1979 nga Fondacioni Hyatt, i themeluar nga çifti Jay A. Pritzker dhe Cindy Pritzker.

Çmimi përfshin 100 mijë dollarë amerikanë dhe një medalje të shkruar në latinisht: “Firmitas, Utilitas, Venustas (Qëndrueshmëria, Funksionaliteti dhe Eleganca)”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve, e cila organizohet çdo vit në qytete të ndryshme të botës, pritet të mbahet në Londër në maj të këtij viti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re