Disa portale dhe politikanë pranë opozitës janë përpjekur të hedhin baltë ndaj një prej infermierëve që u nis drejt Italisë, duke thënë se ai ka punuar pompist.

Llumi që u përpoqën të hedhin ndaj tij ju kthye në boomerang, duke parë se jo vetëm që ai ka kualifikimin e duhur si infermier, por edhe se “mëkatin” e tij që ka punuar si pompist, e ka bërë pikërisht prej këtyre që sot e akuzojnë, pasi pati problem me fëmijët prej shpërthimit të Gërdecit.

Por, meqë i hynë këtij muhabeti, ata një prej drejtuesve të tyre, që e bënë edhe president, e kishin pompist.

Bëhet fjalë për Bujar Nishanin, që ka punuar në një karburant në Plepa, fakt ky që u publikua disa kohë më parë nga ish-presidenti Bujar Nishani.

Historia e Nishanit, pompist

Bujar Nishani ishte thjeshtë një punonjës karburanti tek Plepat në Durrës kur Bamir Topi e futi në politikë dhe e takoi për herë të parë me Sali Berishën.

Berisha nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë emrin e Bujar Nishanit, deri kur ia propozon për herë të parë Topi si kandidat për të zëvendësuar Shaban Meminë si sekretar të degës së PD së Tiranës.

Berisha kërkonte ta hiqte ‘qafe’ Meminë pas humbjes dramatike në Tiranë në zgjedhjet parlamentare të 2001.

Detajet se si Nishani hyri në politikë i rrëfen ish-presidenti Bamir Topi në librin e tij autobiografik me titull ‘Nocturn” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti).

Ish-presidenti Bamir Topi thotë se ku i përmendi emrin e Nishanit, Berisha i kishte thënë se nuk e njihte, ndërsa e kishte pyetur për profesionin. Topi i thotë Berishës se Nishani ka qenë oficer, ndërsa nuk i tregon se punonte në një pikë karburanti.

“–Mendoj që pas rezultateve zhgënjyese, Shaban Memia duhet të lirohet nga detyra e sekretarit, -tha ai (Berisha).

Vendosa të mos shprehesha dhe të dëgjoja se ku do të dilte.

-Unë nuk kam një emër për ta zëvendësuar dhe po e pate ndonjë, na thuaj ta propozojmë në mbledhjen e radhës në Kryesisë, – tha Berisha.

Pas një pauze të shkurtër i them se nuk kam përse mendohem, sepse e kam një emër.

-Cili është?

-Është personi që ka qenë kryetar komisioni në zonën tim elektorale, Bujar Nishani quhet, – i thash duke menduar se do e njihte ndopak.

-Nuk e njoh, çfarë profesioni ka ky?

-Ka qenë oficer dhe tani punon në një biznes privat, i punësuar. E lash shpjegimin me kaq, për të mos e ndërlikuar situatën, duke mos i thënë që punonte në një pikë karburanti.

Në fakt unë doja shumë që aty të ishte Bujari, pasi krijova konsideratë për të dhe doja t’ia ‘shpërbleja’ angazhimin që pati në punën e komisionit të zonës sime, ku beteja zgjedhore ishte një nga më të fortat në Tiranë.

Berisha, pasi u mendua pak, me sa duket duke mos pasur ndonjë emër tjetër në mendje vazhdoi: Hajde nesër së bashku me të, ta takoj njëherë!”, shkruan Topi.

Takimi me Berishën

Topi tregon se si e futi për herë të parë Bujar Nishanin në zyrën e Berishës.

-Dakord! – thash dhe pasi u ndamë kontaktova me Bujarin duke i thënë të takoheshim shpejt. I thashë gjatë takimit të gjithë bisedën dhe pashë tek ai një gëzim të dukshëm.

-Të falënderoj pa masë, – tha Bujari.

-Nuk ka përse, – thashë.

–Nuk e di si do të shkojë deri në fund, por besoj se do të bëhet.

Të nesërmen u futa në zyrë te Berisha i shoqëruar nga Bujar Nishani. Takimi midis tyre, me sa kuptova, ishte i pari dhe po konfirmoheshin fjalët e Berishës se nuk e njihte atë njeri.

Pas pak minutash ishim sërish vetëm me Saliun dhe vendosëm ta paraqesim pasnesër si emër. Në mbledhjen e radhës së Kryesisë Bujar Nishani u emërua sekretar dege i Tiranës.

Në muajin shkurt të vitit 2002, ne vendosëm të hyjmë në Parlament, i cili drejtohej nga Namik Dokle. Me Namikun folëm për modalitetet dhe, natyrisht, ai si i zgjuar dhe xhentil që ishte, filloj të krijojë klimë për një bashkëpunim në nivel zyrtar.

Problemi i madh politike për Sali Berishën në të vërtetë ishte emri i Fatos Nano, me të cilin kishin veç politikës, probleme të vjetra deri personale”, shkruan

Si u njohën Topi dhe Nishani

Në librin e tij autobiografik me titull ‘Nocturn” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti), ish-presidenti Bamir Topi rrëfen se si ka njohur ish-presidentin Bujar Nishanin.

“Bujar Nishanin e kam njohur në një situatë mjaft të veçantë, në një ditë prilli të vitit 2001. Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike, ku unë isha anëtar kryesie, po diskutohej ndarja e zonave të kandidatëve për deputetë në qytetin e Tiranës.

Në përfundim të mbledhjes unë u caktova në zonën e Xhamllikut, ku përfshiheshin lagje me qytetarë autoktonë, por edhe shumë të ardhur, sidomos në pallatet tek ‘Varri i Bamit’.

Meqenëse zona ishte shumë e vështirë, menjëherë pas mbledhjes në orët e mbrëmjes shkova të takoj mikun tim Veli Rada, i cili ishte koordinatori i Partisë Demokratike për zonën.

Vizita ime iu duk surprizë dhe i shqetësuar më thotë: ‘Hajër ishalla’.

–‘Jo, jo, s’ka gjë, por erdha të njoftoj se u caktova kandidat për deputet në këtë zonë’. U gëzua pa masë duke më dhënë kurajo se do ta fitonim garën.

–Më thuaj, Veli, ndonjë emër për ta vendosur kryetar të qendrës zgjedhore të zonës, – i thashë unë.

–Nuk e di, por ne kemi pasur disa oficerë në lirim që i merrnim për komision, -vazhdoi Veliu.

–A ke ndonjë numër telefoni? –e pyeta unë.

–Jo, – tha Veliu, – por kemi emrat e tyre dhe me sa di unë njëri prej tyre, Bujar Nishani, punon në zonën e Plepave në Durrës, në një karburant.

–Ok, – i thash po shkoj ta takoj.

Të nesërmen, së bashku me Kujtim Merepezën u nisëm drejt Durrësit dhe në një pikë karburanti pranë Konvaleshencës së Ministrisë së Mbrojtjes tek Shkëmbi i Kavajës, shikoj dikë që po furnizonte me karburant një autobus që shkonte drejt jugut.

–Kujtim, shko e pyet kush është Bujar Nishani! – thashë unë, ndërkohë që shihja kush do të ishte prej dy punonjësve të pikës. Kujtimi bisedoi me personin në fjalë, afrohet tek unë.

–Ai është, por sa të furnizojë autobusin do të vijë!

Vërtetë ai erdhi duke kërkuar ndjesë, por edhe me kureshtje se ç’ishte ky takim, ndërkohë që ne nuk njiheshim.

–Përshëndetje Bujar!

–Përshëndetje! Sigurisht unë ju njoh! – tha Bujari.

–Kam ardhur të të bëj një propozim për të punuar me mua për zgjedhjet politike të qershorit dhe për të qenë kryetar i KZAZ-së së zonës 35- i thash.

Mbeti disi i hutuar dhe priste ndonjë sqarim më shumë.

–Nëse pranon, do të largohesh nga puna, pasi do të jesh çdo ditë në komision! Mendohu dhe më thuaj në telefon.

U ndamë për t’u dëgjuar në mbrëmje. Më telefonoi dhe me tha se pranonte dhe kështu nisi bashkëpunimi ynë”, shkruan Topi.

Nishani kundër Topit

Ish-presidenti Bamir Topi rrëfen se si Bujar Nishani, të cilin e kishte futur në politikë, i doli kundër, duke i kërkuar që të tërhiqte kandidaturën si presidentin në 2007, gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar.

“Takimi po zhvillohej në kushtet e një tensioni në rritje dhe ishte përgatitur mirë nga kryeministri, i cili kësaj radhe vendosi të mos fjalë vetë, por të hedhë në sulm dy njerëz me tipologji të ndryshme, por të gatshëm për t’u përdorur. I pari e mori fjalën Genc Ruli, një mik i vjetër nga koha e gjimnazit, politikan, intelektual dhe qytetar, nga i cili nuk e prisja që të ngrihej dhe të më bënte thirrje për tërheqje në emër të interesave politike të qeverisë.

I dyti ngrihet ministri i Brendshëm i Berishës, Bujar Nishani, sikurse e kemi thënë, njeri i futur në politikë nga unë, ish-oficer, intelektual mediokër dhe servil i Sali Berishës. Edhe ky filloi të moralizonte për tërheqja, duke më kthyer në atmosferën e mbledhjeve të viteve ’70, kur klasa punëtore demonizonte intelektualët dhe i dënonte për shfaqje të huaja.

Një inskenim i shëmtuar, a thua se këta kishin ardhur të vetëm në pushtet dhe duhej ta administronin atë si të donin. Sa për dijeni, në zgjedhjet politike të 2005 unë kisha qenë njeriu më i votuar.

Pasi dëgjova thirrjet e tyre, mora fjalën dhe pasi kam bërë një profil antropologjik dhe politik të dy propozuesve, kam analizuar situatën politike dhe marrëdhëniet në PD, të tradhtuara nga pabesia e diabolizimi i Sali Berishës, i cili kishte ardhur në pushtet me kontributin e të gjithëve, përfshirë edhe mua. Unë thash se ai kërkonte që të zgjedhurit të ishin vetëm miratues pa fjalë të qëllimeve të tij, për të skllavëruar të gjithë piramidën e shtetit me njerëz pa emër dhe profil politik, me kusht që të vendoseshin nën urdhrat e tij.

Berisha e kishe demonstruar këtë gjatë gjithë historisë së pushtetit të tij autokrat, me mendësi të një lideri komunist. Mbledhja përfundoi pa rezultat, duke e thelluar më shumë krizën”, shkruan Topi.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re