Është një prej golashënuesve më të mirë në Hungari. Luan me Ferencvaroshin, ekipin kombëtar e po ashtu dhe protagonist në kupat e Europës me skuadrën e tij.

Megjithatë Myrto Uzuni, ka kaluar një fëmijëri të vështirë, varfëri e plot vuajtje. Rrëfimin për të shkuarën e të birit, e jep Artani, i cili tregoi për median rrugëtimin e futbollistit.

“Në vitin 2006 unë me Myrton u nisëm për në Greqi me një pasaportë… Edhe atje gjërat ishin të vështira jo se atje gjetëm parajsën. Por ishte një sakrificë edhe nga ana ime edhe nga ana e Myrtos që ai të vazhdonte sportin. Atje me ndihmën e një trajneri, Andrea Guskas, ai e mori përsipër për 6 vjet me investimet e tija gjërat shkuan mirë.”

Pagesa mujore për të mbajtur Myrton në akademi ishte 25 euro në muaj.

“Unë nuk kisha mundësi, herë punonim herë jo, ato lekë që merrnim, do hanim apo do t’i paguanim që të bëhej Myrto futbollist?! I thashë nuk paguaj më, nuk kam më. Nëse Myrto vlen ai duhet ta mbajë pa lekë, nëse nuk vlen le ta lërë s’kam përse e ndjek.
Myrton e mbajti trajneri dhe klubi ku ishte për rreth 6 vite, ndërkohë veç stërvitjes, atij i duhej edhe të punonte. Myrto në atë kohë punonte herë kamarjer, herë pastronte barin. Çfarë pune t’i dilte përpara Myrto nuk i thoshte ‘Jo’.

Në moshën 12-vjeçare Myrto u provua tek Olimpiakosi për 7 ditë dhe ata e pëlqyen. Folën me trajnerin e Myrtos dhe ai më pas më thërriti mua. Çunin thotë do ta mbajë Olimpiakosi, por unë dua 2000 euro. Unë i thash që ndoshta për ju janë pak 2000 euro, por unë nuk kam të t’i jap ty tani. I thashë bëhu menaxheri i çunit firmos me të, por problem ishte se ne ishim të paligjshëm atje, nuk kishim as letra.”

Pas kësaj babë e bir u kthyen në Shqipëri. Uzuni kaloi ekipet zinxhir të Tomorrit e Beratit, derisa u pikas nga Apollonia, e cila e bleu për 4 mln lekë të vjetra. Fakti që ata ranë një kategori më poshtë e bëri Uzunin të priste oferta për t’u larguar sërish për në Superligë.

“Më pas erdhi Pashku, presidenti i Laçit që e falenderoj, pasi bëri të mundur blerjen e kartonit nga Fieri dhe Myrto hapi sytë në Superligë. Unë nuk isha këtu, por Myrto më mori në telefon dhe më tha se Laçi ka blerë kartonin nga FIeri për 20 mijë dollarë”.

Babai i futbollistit tregon kur i biri u largua më tutje për të luajtur futboll jashtë vendit kohën kur i biri ishte tek Apollonia dhe momenti kur kaloi jashtë shtetit.

“Ai është një lojtar që nuk u prodhua në akademia, por nga rruga. I bëri gol Juves, luajti përballë idhullit të tij Cristiano Ronaldos. Me emrin e tij është rritur. Ne në atë ndeshje ishim të gjithë me Corona, ishim 4 veta në shtëpi, unë me nusen, i vëllai Myrtos dhe nusja e tij. Nuk dinim si të gëzonim kur pamë atë gol që bëri në Torino. Ne vërtet ishim në një ambient të mbyllur të izoluar, por gëzimi i kalonte çdo kufi, çdo pallat, çdo hyrje, çdo gjë.

Unë jam mëse krenar për Myrton. Nuk e mendoja sepse ishte pa përkrahjen e duhur ka filluar të luajë në këto rrugica. Për mua Myrto i ka arritur të gjitha, jam i kënaqur, por ai nuk kënaqet kurrë me veten”!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re