2  prill /ATSH – I. Vata/ “Shqipëria fiton një gërhitje që t’i dëgjohet zhurma me vite”, tha sot nga Berati, Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar ekipit të opozitës në zgjedhje, ndërsa vuri në dukje se PS ka projekte të mëdha për Shqipërinë.

Rama tha se Luli nuk punon, por fle. “E merr në punë, ai shtrihet në Kryeministri dhe do bëjë gropë divanin, siç bëri gropë divanin në bashkinë e Tiranës”, ironizoi Rama.

“E keni dëgjuar ndonjëherë të thotë se ‘kam qenë kryetar i bashkisë së Tiranës’? S’e thotë atë, se në momentin që do të thotë atë, njerëzit do thonë, bo është ai! Edhe s’e voton më njeri pastaj”, tha ai.

Rama shtoi se mjekët dhe infermierët e dinë shumë mirë që e kemi rritur pagën. “Rritja e pagës për mjekët dhe infermierët ka qenë shumë e konsiderueshme dhe do ta rrisim 40 % përsëri. Dhe ne nuk i kemi këto premtime, siç mund të bënim dhe ne premtime kur ishim në opozitë, ku nuk dinim tamam si funksionon tamam nga brenda, këto janë plane veprimi”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se bërja e Shqipërisë me katër aeroporte nuk është një program, si tramvaji i Tiranës.

“Ne për pak ditë hapim aeroportin e Kukësit. Për aeroportin e Vlorës më në fund dolëm nga ajo pengesa e tmerrshme e pandemisë që na bllokoi gjithë proceset. Kemi dhe fituesin, tani po negociojmë dhe kontratën. Firmoset kontrata dhe fillon puna. Menjëherë do shpallet aeroporti i Sarandës. Në aeroportin e Tiranës fillon puna për pistën. Se isha në Turqi për të marrë vaksinat nuk vinte dot avioni ushtarak, sepse pista nuk është e përshtatshme për avionë të asaj madhësie”, tha Rama.

“Ndërkohë që ne duam që Air Albania-n ta çojmë në Amerikë, po me atë pistë nuk e çojmë dot, se nuk mban mbi një nivel të caktuar avionësh. Terminali tjetër, i riu fillon tani. Pra, janë të gjitha punë që janë rrugës, ashtu sikundër qoftë ardhja e kompanive amerikane për TEC-in e Vlorës për të sjellë gazin e lëngshëm në Shqipëri, qoftë Skavica nga ana tjetër, që bëjnë të dyja bashkë që Shqipëria të bëhet eksportues neto i energjisë dhe gjithë ajo që ne paguajmë për të importuar energji të mbetet këtu”, tha Rama.

“Nuk është  një plan për një tramvaj energjetik. Janë procese që kanë nisur. Ashtu sikundër porti i madh turistik i Durrësit është proces që ka nisur konkretizimin dhe kompania e madhe e Dubait ka sjellë projektin për fazën e parë dhe tani është çështje e pak kohe që aty të shikoni fillimin e punës”, tha ai.

Rama shtoi se prandaj unë them se në Shqipërinë do ta bëjmë kampione të turizmit në Ballkan.

“Porti turistik i Vlorës po ashtu u mbyll si proces dhe shumë shpejt do fillojë. Dy portet e reja tregtare që do të duhen të ndërtohen, që këto dy ekzistueset të kthehen në porte turistike, po ashtu do fillojnë. Gjithë këto punë të mëdha tani, si dhe nevoja ndërkohë për të mundur COVID-in dhe rindërtuar të gjitha shtëpitë deri në pranverën e ardhshme, të gjitha apartamentet që të mos ketë më gjurmë tërmeti. Dhe këtu vjen fanti spathi në mes edhe thotë, Shqipëria fiton. Çfarë fiton Shqipëria? Shqipëria fiton një gërhitje, që t’i dëgjohet zhurma me vite”, tha Rama.

“Atë fiton Shqipëria, asnjë gjë tjetër. Ndërkohë që ne jemi në rrugën e duhur për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë, në sensin që brenda kësaj dekade të ndryshojë trendi, që të mos jenë më shumë ata që ikin, por të jenë më shumë ata që rrinë. Por që do ikin, do ikin, siç kanë ikur. Që do kthehen do kthehen, problemi është të kthehen më shumë sesa ikin, dhe kjo mund të bëhet duke krijuar këtu të gjitha këto mundësi që jemi duke i krijuar”, u shpreh Rama.

“Është rrugë e gjatë, është e patjetër e lartë, është e vështirë, por nuk duhet ta bëjmë gabimin që kemi bërë shpeshherë në histori ne, që duke synuar të bëjmë fitore të mëdha, kemi humbur çdo ditë ato beteja të vogla që çdo komb i madh i fiton si bukën që ha. Durimi, durimi, durimi dhe puna, puna, puna, janë dy elementë që nuk mund të anashkalohen. Nuk mund të zëvendësohen nga gjumi dhe nga ëndrrat me sy mbyllur, se ata me sy hapur mund të realizohen nëse ti je në gjendje ta shikosh një ëndërr me sy hapur dhe mund ta realizosh, por ama duhet të kesh gjithë këmbënguljen, gjithë aftësitë, gjithë durimin që t’i shkosh deri në fund detit që është për t’u kaluar në këmbë, nga e thëna në të bërë”, tha ai.

Në fund, Rama tha se ne këtu kemi një skuadër të denjë për Beratin, është skuadra e unitetit, që është e para.

“E dyta, është skuadra e diversitetit. Dhe e treta, është një skuadër e përkushtimit. Gjëja që unë ju kërkoj është të jemi të bashkuar. Secili mund të ketë preferencat e veta, por preferenca e preferencave është PS numri 12. Se 4×3 bëjnë 12. Ashtu si kundër 7×7 nuk bëjnë 42. Dhe tre mandate nga katër bëjnë 12. Kush do mandatin e tretë duhet të votojë 12-ën”, tha ai. /j.p/r.e/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re