Silvana Kola-Loka
Psikologe

Dikur studente, punoja ditëve të shtuna në një organizatë në periferi të Tiranës. Aty, me aq njohuri dhe aftësi sa kisha, ndihmoja nënat dhe gjyshet në ndarjen e përvojave të tyre në rritjen e fëmijëve me probleme të ndryshme të shëndetit mendor. Ishte një zonë suburbane, me popullsi migratore thuajse nga e gjithë Shqipëria, me emigracion të lartë ndër kryefamiljarët dhe vështirësi të tejskajshme ekonomike.

Unë gjithnjë kam besuar se njeriu mund të mësojë nga çdo situatë dhe nga çdo njeri me të cilin i kryqëzohen jetët.

Kur e mbylla punën aty, pas disa vjetësh, për diçka isha shumë e sigurt; puna me ato gra kishte qenë për mua një shkollë e dytë.

Deri vonë i kam ruajtur shënimet që kisha mbajtur në raste të caktuara. Herë pas herë kam ushqyer me ato shënime, leksionet dhe seancat e  terapisë. Ato gra më kanë dhënë nga vetja, pa asnjë kursim, copëza nga jeta, kultura, mençuria dhe forca e tyre.

Sot m’u kujtua një bisedë e bërë me njërën nga gjyshet. Ajo ishte gjithnjë gazmore dhe me humor të mirë. Dukej sikur asnjë problem nuk mund të ishte aq i madh sa për ta pezmatuar.

Një ditë, teksa më shihte që po qeshja me njërën nga edukatoret, më tundi dorën dhe më kërkoi t’i ulesha afër. Me atë drejtpërdrejtësinë e një njeriu që nuk ka asnjë arsye pse t’i vijë rrotull një argumenti, që ndoshta është një ndër dhuratat që njeriut i kthehet në pleqëri nga fëmijëria, më tha:

“Dëgjo moj çupë! Të kam parë që je një vajzë shumë e dashur dhe je ‘fol e qesh’ me të gjithë (më kishte njohur mirë. Dëgjoja dy fjalë nënës se do të të duhen! Fol e qesh me të gjithë, por kafen pije vetëm me ata që ke si vetja, as me ata më lart (nënkuptonte “shefen”  dhe as me ata më poshtë (nënkuptonte nënat dhe gjyshet, edhe atë vetë .

Për ta zhdramatizuar situatën, u mata t’i thosha ndonjë nga ato të miat, që përfundonin gjithnjë me të qeshur e me një përqafim, por ajo ma ndali hovin dhe vazhdoi:

“Ma vër veshin mirë ç’po të them. Kafja nxjerr fjalën pas fjalës dhe njeriu rehatohet dhe i duket sikur flet me veten. Që të mos e pish kafen vetëm, atëherë pije vetëm me ata njerëz që t’i kuptojnë mendimet fiks si i ke ti në kokën tënde!”

Me siguri ju do më pyesni a ia dëgjova fjalën gjyshes!

Unë jam kafepirëse e thekur dhe pse t’ju gënjej kot? Unë mund ta shijoj kafen me cilindo njeri që të më bjerë rasti ta pi, sepse për mua çdo njeri është një minierë floriri që pret të zbulohet dhe mua më gëzon marrëdhënia me tjetrin!

Ama, ka ditë kur realisht dua ta pi kafen me atë tjetrin që m’i kupton mendimet fiks si i kam unë në kokën time! Madje, të më kuptojë edhe pa folur fare!

A e kishit menduar ndonjëherë kaq thellë  ritualin e pirjes së kafes? Për më tepër si një “akt për të mos e trazuar veten”?

Vras mendjen! Çfarë do më kishte këshilluar ajo gjyshe që unë ta bëja vetëm në praninë e ‘të ngjashmëve”, në rast se unë nuk do ta pija kafen?

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re