“Është një orvatje e madhe fizike për mua, por motivim kam tim bir e faktin se sa herë ai mundohet të lëvizë apo të bëjë diçka si të gjithë fëmijët e tjerë, përballet me sforco të jashtëzakonshme”

Këto janë fjalët e një babai. I gatshëm për të bërë gjithçka për fëmijën, qoftë edhe për t’i dhënë veçse një fije shprese, përmirësimit të gjendjes në të cilën ndodhet djali i tij.

Konor sot është 4 vjeç e para dy vitesh mjekët zbuluan se ai vuante nga një sëmundje e rrallë gjenetike. E njohur si Dushen (distrofi muskulare- Duchenne) njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje nuk prodhojnë në trupin e tyre një lloj proteine për funksionimin normal të muskujve. Me kalimin e kohës, sëmundja shkatërron muskujt, ndërsa shanset për të jetuar bien në mënyrë drastike.

I pikëlluar nga gjendja e të birit e duke kërkuar për çdo zgjidhje, Dilon rastësisht ra në kontakt me një tjetër baba me të njëjtin fat si ai. Ky i fundit (Xhim) kishte ngritur një organizatë bamirëse për të mbledhur para për gjetjen e një kure për sëmundjen dhe po bëhej gati të ngjitej në malet Himalaje si një fushatë për të ngritur ndërgjegjësimin e mbledhur donacione.

Pas bisedës me Xhimin, Dilon diskutoi me të shoqen për mundësinë për t’i ngjitur në Himalaje, një orvatje jo e lehtë e që mund të rezultojë të jetë dhe fatale për një njeri që nuk ka profesion alpinizmin.

Pavarësisht rreziqeve, Dilon vendosi të rrezikojë jetën, me shpresën se do të mund të mbledhin sa më shumë donacione për një test klinik (kërkim shkencor) i cili kushton 750 mijë dollarë.

“Shumë njerëz më kanë pyetur, pse po shkon në Everest? Pse po shkon deri në anën tjetër të botës, a s’mund të bëni diçka këtu? Besoj përgjigja ime është e thjeshtë, do të bëja gjithçka për tim bir edhe të ngjis Everestin”-tregoi babai i 4 vjeçarit për CBS.

“Për veten nuk do e bëja kurrë, por për shkak se kjo orvatje bëhet për të ndihmuar tim bir e të tjerë të sëmurë si ai, për mua është e lehtë të jem i motivuar. Nuk ka gjë që nuk do të bëja për të”-përfundoi Dilon, i cili prej kohësh po përgatitet për ngjitjen, e cila zhvillohet në muajin prill të këtij viti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re