Nga; Dritan Ceveli

Evropa gjithmonë ka qenë vija e “finishit” në sytë e shqiptarëve. Vendi ku do synojmë të arrijmë pas disa vitesh, dekadash, shekujsh, ose nuk arrijmë fare.

Evropa gjithmonë duke përdorur demokracinë e saj, u ka dhënë lirinë popujve të reagojnë për çështjet që ata preken. Çështje si ekonomia, siguria dhe rendi. Gjëja më e bukur është se ata mblidhen shpejt pavarësisht nëse preken direkt ose parashikojnë se ai fenomen mund t’i prekë dhe ata. Të tilla organizime duartrokiten nga shqiptarët dhe thonë “Sikur të ishim dhe ne ashtu, që reagimet tona mos i bëjmë vetëm me 20-30 vetë që preken direkt nga situata.”

Por, kur këtyre intelektualëve tanë, myslimanët e këtij vendi po u japin një mësim se si mund të reagojë e gjithë shoqëria për faktin se një vajzë me kualifikimin e duhur, pasi kalon fazën e provës nuk pranohet për shkak të shamisë, ndërsa këta po na e cilësuakan viktimizim. Jo më jo, quhet bullizëm. Një nga përkufizimet më pranuara gjerësisht për bullizmin, është dhënë nga studiuesi australian Ken Rigby (2002), sipas të cilit: “Bullizmi është një dëshirë për të dëmtuar tjetrin + një veprim që lëndon + një disbalancë në forcë midis personave + një përsëritje (në mënyrë tipike) + një përdorim i padrejtë i forcës + një kënaqësi e dukshme e agresorit si edhe një ndjenjë e përgjithshme e të qenit mbizotërues ndaj viktimës”.

Myslimanët mëngjesin e sotëm reaguan të gjithë me mllef kundrejt drejtuesve të rrjeteve Big Market. Pronari i këtij rrjetit marketesh paskësh thënë se në marketet e tij nuk do punojë asnjë femër me hijab ose fustan. Po, edhe këtë i’a kanë thënë një vajze të re, e kualifikuar për një pozicion pune në një nga marketet, pasi ajo kaloi provat e aftësisë. Që d.m.th. ti je e afër për të punuar këtu, por nuk je veshur ashtu siç ne duam. E thënë më troç, ti nuk ke veshur streçe, e thënë akoma më troç ti nuk dukesh me trup tërheqës tek klientët. Pavarësisht se vajza në fjalë ishte për pozicionin e kontabilistes, që vetëm pronari i këtij rrjeti duhet t’a dijë se për çfarë e pengon hijabi.

Nëse supozohet se ky ishte një rregull i vendosur më parë, pse Vullnet Sina nuk ua tha menaxherëve më parë? Nëse hijabi është pengesa, cilin proçes të punës i pengon vajzën të bëjë?

E kuptojmë, nuk e ka qejf Vullneti se është biznes privat dhe rregullat i vendos ai. Por mos harrojë Vullneti se shumica e këtij vendi janë nën petkun e asaj shamie. Shumica e shqiptarëve janë mysliman, praktikantë ose jo praktikantë, me apo pa hijab, por jemi mysliman o shoku Vullnet. Jemi ata që pamë për oferta në rrjetet e tua të marketeve, pa u bazuar në atë çfarë flitet poshtë e sipër për ndryshimin e datave të skadencave.

Nga sot Vullneti dhe lloji i tij duhet të mësojnë se myslimanët janë të gjithë një trup, ashtu siç “intelektualët” tanë duan që të jetë e gjithë shoqëria.

Vullneti dhe lloji i tij duhet të pranojnë dikë ashtu siç ai është dhe jeton pa ndryshuar dhe pa u shtirur, vetëm të ketë përkushtimin në punë.

Vullneti dhe lloji i tij duhet të ulin kokën përballë të punësuarve, pa u shtirur si padronë kur janë vetëm punëdhënës dhe askush në momentin që i punësuari braktis vendin e punës.

Kushti që Vullneti vendosi për vajzën me hijab, na ofendon të gjithë neve myslimanëve. Hijabi është simboli i femrës në fenë myslimane dhe kjo veshje nuk është pengesë as në Perëndim ku njerëzit e besimit Islam janë shumë më të paktën si përqindje sesa në Shqipëri.

Jam mysliman dhe ia bëj vetes haram një produkt të blerë nga marketet e Vullnet Sinës. Këtë mendim do mbaj deri në ditën që ai apo dikush tjetër në emër të tij do dalë të kërkojë ndjesë. Këtë vendim nuk e kam marrë vetëm unë shoku Vullnet, por të gjithë myslimanët. Mos reago dhe do flasim për xhiron e marketeve të t’ua. Hidhërimi jonë do japë frytet e veta, por nuk po viktimizohemi. Ne jemi kundër bullizmit dhe sigurisht islamofobisë.

Ne jemi krenar për veshjet dhe obligimet tona shoku Vullnet. Sa për mbyllje dikush t’i informojë pak atë të KMSH-së! Apo nuk kanë lidhje me hijabin ata?!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re