Nga Lutfi Dervishi

Elvis Naçi, njeriu i vitit të hidhur!

Një klerik me kollare që ka pothuaj 1 milionë ndjekës në instagram dhe po aq edhe në facebook nuk është një klerik i zakonshëm kudo në botë, aq më pak në Shqipëri.
Një bamirës që shqiptarët i besojnë miliarda lekë nuk është një filantrop sido kudo.
Një drejtues emisioni që organizon maratona bamirësie nuk është gazetar si gjithë të tjerët.
Jo pa arsye shumë portale në Shqipëri e shpallën këtë njeri – njeriun e vitit 2019. Në ditët më të vështira, pas tërmetit të 26 nëntorit, me aktivitetin e tij bamirës, ky njeri shfaqi anën më të bukur të shpirtit të shqiptarëve- solidaritetin.

Më shumë se 30 mijë organizata dhe individë i besuan paratë për ti ardhur në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti. I vetëm ai ka mbledhur deri më tani mbi 10 miliardë lekë. Kjo shumë është më e madhe nëse krahasohet me shumën e dhuruar në portalin qeveritar e- albania.
Kjo shumë mjafton për të strehuar 300-400 familje. Njerëzit ende jetojnë në çadra, por shpresa vdes e fundit.
Thumana është qyteza më e goditur nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe ka numrin më të lartë të viktimave. Mjaft banorë atje i kanë shpresat jo te qeveria, jo te donatorët e huaj, jo te mrekullitë, por tek një njeri i vetëm.
Për shkak të popullaritet të Fondacioneve Bamirëse, qeveria nxitoi t’i përfshijë bamirësit në Komitetin e Rindërtimit.
Bamirësia ka përfitues të drejtpërdrejtë, por edhe kritikë të hidhur. Ajo fokusohet te varfëria dhe i varfëri si individ, por prej saj rrallë përfiton grupi/shtresa në nevojë. Bamirësia zgjidh një hall e problem, por nuk adreson dot mekanizmin që e ka pjellë problemin. Me fokusin tek problemet sociale duket sikur ajo thekson se i vetmi problem i njerëzve sot është problemi ekonomik.

Filantropët jo rrallë vihen në qendër të kritikës për “spektaklin e bamirësisë” që dhurojnë përmes televizioneve dhe rrjeteve sociale. Bërja publike e dhuruesve dhe përfituesve të bamirësisë ka efektin pozitiv për të nxitur të tjerët për të dhënë ndihmë, por ngre edhe pikëpyetje për dinjitetin e atij që pranon ndihmën.
Shën Tereza, një shqiptare e njohur në të gjithë botën, fituese e çmimit Nobel për paqen thoshte se nënshtetësia ime është bamirësia!

A është bamirësia sot mision dhe çfarë nënshtetësie duan të kenë bamirësit e sotëm?
Sonte në #Përballë do të flasim me njeriun e vitit 2019, Elvis Naçin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re