Një e re ruse përballet me 25 vjet burg për tërheqjen e parave prej rreth 1000 eurosh “për të ndihmuar Ukrainën të organizojë një sulm sabotazhi gjatë luftës”.
Viktoria Shinkaruk, 28 vjeçe, akuzohet se ka vepruar si agjente e Ukrainës duke vendosur pjesën më të madhe të parave në një kosh për t’u përdorur nga “terroristët që punojnë për Kievin”. Ajo do të gjykohet në një gjykatë ushtarake në Moskë dhe mund të dënohet me 25 vjet burg sipas ligjeve drakoniane të terrorizmit të Rusisë.
Ajo, siç raportohet nga Daily Mail, mohon akuzat, duke thënë se i tërhoqi paratë me kërkesë të bashkëshortit të saj dhe nuk e dinte destinacionin e tyre apo që të synonte të kryente një krim terrorist.
Bashkëshorti i saj Yevgeny Sichel, 35 vjeç, i shpëtoi arrestit shtëpiak përpara incidentit dhe iku te të afërmit e tij në Ukrainë, nga frika se do të dënohej me dhjetë vjet burg për drogë.
Shinkaruk punonte si inspektore shtetërore në rajonin e Belgorodit në kufi me Ukrainën, por u pushua nga puna pas arrestimit të saj. Ajo është mbajtur për 22 muaj në qendrën famëkeqe të paraburgimit Lefortovo në Moskë, në pritje të fillimit të gjyqit të saj.
Ajo akuzohet për Alexander Kholodkov, i cili dyshohet se tërhoqi një shumë më të madhe (ekuivalente me më shumë se 3,500 euro) me kërkesë të bashkëshortit të saj dhe e vendosi në të njëjtin kosh mbeturinash në Belgorod. Ai gjithashtu dyshohet se “transportoi pajisje shpërthyese në depo”.
Nga ana e tyre, autoritetet ruse pretendojnë se paratë ishin të destinuara për anëtarë të panjohur të një grupi kriminal për të vendosur një bombë terroriste gjatë muajve të parë të luftës me Ukrainën.
Të pandehurit përdorën aplikacionet Signal dhe Telegram për të komunikuar me “operatorët” nga Ukraina, njoftoi agjencia e lajmeve TASS.
Megjithatë, prokurorët, pas dy vitesh hetime, nuk kanë qenë në gjendje të përmendin emrat e të dyshuarve apo operatorëve ukrainas, as të përcaktojnë se ku do të ndodhte sulmi terrorist.
Familjarët e saj pohojnë se bashkëshorti i Shinkaruk e “krijoi” çështjen duke transferuar paratë dhe se ajo u besoi pretendimeve të tij.