Një burrë që posedonte një koleksion të madh gjarpërinjsh u gjet i vdekur të mërkurën në shtëpinë e tij në Maryland.

Policia mbërriti në shtëpinë e tij pas një telefonate nga një fqinj, i cili ishte i shqetësuar për shkak se nuk e kishte parë të zotin e shtëpisë për disa kohë, thuhet në një deklaratë të policisë.

Policia më pas zbuloi në shtëpinë e tij më shumë se 100 gjarpërinj helmues dhe jo helmues të llojeve të ndryshme, të cilët ndodheshin në terrariume. Mes tyre ishte edhe pitoni birman, më shumë se katër metra i gjatë, si dhe gjarpërinjtë helmues që janë të paligjshëm për t’u mbajtur në këtë shtet federal.

Oficerët e kontrollit të kafshëve nxorën 125 gjarpërinj nga shtëpia e të ndjerit.

“Oficeri ynë kryesor i kontrollit të kafshëve tha se ai nuk kishte përjetuar diçka të tillë në 30 vjet përvojë”, tha zëdhënësja e distriktit Jennifer Harris.

Gjarpërinjtë jo helmues do të dërgohen në Virxhinia, ndërsa ata helmues do të transportohen në Karolinën e Veriut.

“Dua të siguroj komunitetin dhe këdo që jeton në këtë lagje se nuk kemi hasur në asnjë gjarpër që nuk është mbyllur siç duhet ose mund të ketë shpëtuar. E di që njerëzit janë të shqetësuar se situata mund të jetë e rrezikshme për ata që jetojnë në afërsi, por në këtë pikë nuk kemi gjetur që ndonjë gjarpër të ketë pasur një shans për të shpëtuar pas vdekjes së burrit,” shtoi Harris. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re