Ish-kampioni botëror i xhudos, iraniani Said Molaei, ka frikë të kthehet në shtëpi pasi nuk iu bind urdhrit të qeverisë për të humbur një ndeshje në Kupën e Botës në Tokio, në mënyrë që të shmangte një luftë të mundshme me një konkurrent izraelit në përballjen e radhës.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka njoftuar se zv/ministri i Sportit në Iran, Davar Zani ka urdhëruar Molaei që të humbasë një ndeshje për të shmangur duelin me izraelitin Sagi Muki, raporton Reuters.

AP pretendon se xhudisti iranian ishte thirrur në atë moment nga Reza Salehi Amiri, kryetari i Komitetit Olimpik në Iran, i cili kishte thënë se anëtarët e shërbimeve të sigurisë ishin në shtëpinë e prindërve të tij.

Por Molaei vendosi që të mbronte titullin e tij botëror në këtë garë dhe rrjedhimisht të përballej me rivalin izraelit në finale.

Të dy ishin konkurrentët e rangut më të lartë në kategorinë e tyre para kampionatit.

Molaei tha se ai ishte urdhëruar të tërhiqet para një beteje paraprake me një xhudist rus në mënyrë që të mos dukej se do të bojkotojë Izraelin.

Iraniani vazhdoi të garojë, por humbi në gjysmëfinale, kështu që ai nuk kishte pse ta takonte Mukin, i cili përfundimisht fitoi një medalje të artë, duke e quajtur Molaein një frymëzim.

Molaei tha se ai kishte nevojë për ndihmë sepse ai ishte i frikësuar, megjithëse autoritetet iraniane i kishin thënë që ai mund të kthehej pa problem.

“Dua të garoj sa herë të mundem. Unë jetoj në një vend, ligjet e të cilit nuk më lejojnë. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër, të gjithë sportistët duhet të binden. E tëra që kam bërë është për jetën time të re”, tha Molaei në një deklaratë.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka deklaruar se do ta ndihmojë Molaei të përgatitet për Lojërat Olimpike vitin e ardhshëm në Tokio.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re