Kreu i Grupit të PD-së Gazment Bardhi, do të jetë drejtues politik i qarkut Fier dhe përballë tij në fushatën elektorale do të jetë Belinda Ballukun, zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.
Bardhi tha se nuk e ka frikë përballjen pasi sipas tij në Fier, Balluku vjen me krimin e organizuar dhe paratë e korrupsionit, ndërsa për veten tha se do shkojë me ndershmëri për të fituar besimin e qytetarëve.
“Është një fillim i mirë i PD. Ndodh për herë të parë që caktojmë shumë parë drejtuesit politikë. Kesaj here jemi në kohë, falë strategjisë së PD-së dhe nevojës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Unë jam në konflikt interesi për të fol për veten. Sa i takon Ballukun, vjen me fuqinë e krimit të organizuar dhe fuqinë e parave të korrupsionit. Unë do të shkoj para qytetarëve me ndershmërinë time dhe me faktin që do të duhet të fitoj besimin pa këtë që Balluku i ofron.
Kam bindjen se Fieri është qarku që duhet të ndëshkojë PS-në. Fieri është një qark me fuqi ekonomike, me biznese dhe bujqësi që duhet të zhvilloheshin dhe këto 11 vite ka ndjerë braktisjen totale të PS,
Fakti që këto 11 vite i kanë dhënë kaq besim, kam bindjen e thellë se do të jetë reagimi më i fortë se qarqet e tjera.
Nuk kam asnjë shqetësim që përballë kam një njeri të korruptuar dhe që e suporton krimin e organizuar. Unë nuk ngre gishtin për të akuzuar pa patur prova. Kam informacionin e nevojshëm dhe të plotë për këtë që them”, tha Bardhi.