Edhe pse ka zgjedhur të përulet tek memorialet e të vrarëve serbë, presidenti Hashim Thaçi vijon t’i ketë për zemër përbetimet për ndëshkim të krimeve serbe.

Duke kujtuar rastin e vrasjes së 116 civilët e pafajshëm në Studime të Vushtrrisë, ish-komandanti politik i UÇK-së sot president, tha se nuk do të ketë asnjë tërheqje ndaj krimeve të pandëshkuara të luftës, shkaktuar nga regjimi i Beogradit.

“Sot i kujtojmë 116 civilë të pafajshëm të vrarë nga forcat serbe para 19 vjetësh në Studime të Vushtrrisë. Si institucione të Republikës së Kosovës, nuk do të ndalim asnjëherë zërin për zbardhjen e krimeve të bëra nga forcat ushtarake dhe policore serbe. Nuk do të ndalemi deri sa të zbardhet fati i personave të pagjetur. Nuk do të ndalemi deri sa të dalin para drejtësisë autorët e krimeve. Lavdi të gjithë atyre që u sakrifikuan për liri!”, ka shkruar Thaçi.

Megjithatë, Kosova ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj krimeve serbe, edhe 19 vjet nga përfundimi i luftës, gjë që kërkohet me insistim nga zëra politikë dhe publikë në Kosovë.  

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re