Grupi parlamentar “Demokraci dhe drejtësi” është formacioni më i ri politik që do të jetë në Kuvendin e Shqipërisë. Grupimi i ri parlamentar përbëhet nga deputetët e opozitës, të cilët kanë plotësuar karriget bosh të lëna pas dorëzimit të mandateve të PD-së dhe LSI-së dy vite më parë.

Grupi parlamentar do të kryesohet nga Edmond Stojku dhe në përbërje të tij janë deputetët Selami Jenishehri, Eugen Bojaxhi, Koçi Tahiri, Klajdi Qama, Krenar Rryçi, Kostaq Papa, Majlinda Halilaj, Ervis Meço. Ramazan Gjuzi dhe Edmond Rrushi. Për nga përbërja ky është grupimi më i madh opozitar, po të llogarisim se dy grupimet e tjera që janë ai “I pavarur” dhe “Demokrat”, janë me nga nëntë deputetë secili.

Por formimi i këtij grupi kuvendor ka një specifikë pasi socialistët mund të ketë mposhtin atë pak opozitë që gjendet në Parlament, e përfaqësuar nga Rudina Hajdari, Ralf Gjoni, Myslim Murrizi dhe pak zëra kundër qeverisë. Kjo për faktin se pjesa më e madhe e deputetëve qenë pro nismave të qeverisë dhe ato më të debatueshme si paketa Antishpifja dhe ajo Anti KÇK.

Mazhoranca aktualisht ka 78 deputetë dhe me 11 deputetë që tashmë njihen si pro qeverisë mund të sigurohet edhe votimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, duke pasur kështu të kopsitur edhe ligjet si reforma zgjedhore, apo dhe në të ardhmen nëse do të votohet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re