Skip to content

Përcaktohet identiteti i terroristit të vrarë në Austri, është me origjinë nga Maqedonia e Veriut

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer ka deklaruar se sulmuesi i vrarë në sulmin terrorist mbrëmë në Vjenë është një mashkull 20-vjeçar me origjinë nga Maqedonia e Veriut.

Ministri Nehammer zhvilloi një konferencë për media për të njoftuar rreth identitetit të terroristit të vrarë nga forcat e sigurisë.

Ai tha se terroristi ka qenë pro-DEASH-it. “Terroristi i neutralizuar nga forcat e sigurisë është me origjinë nga Maqedonia e Veriut, mashkull 20-vjeçar. Sulmuesi më parë është arrestuar për shkak të përpjekjes për të shkuar në Siri për t’u bashkuar me organizatën terroriste DEASH dhe më 25 prill 2019 është dënuar me 22 muaj burg. Ndërsa dhjetorin e kaluar është liruar me kusht”, tha ministri austriak.

Më tej ministri njoftoi se në kuadër të hetimit ndaj terroristit kanë kryer kërkime në rreth 17 shtëpi në Vjenë dhe Sankt Pölten dhe se janë arrestuar shumë persona.

Nehammer tha se mbi terroristin është gjetur armë me tytë të gjatë si dhe një pistoletë dhe hanxhar, ndërsa mbi të është gjetur mjet i rremë shpërthyes të montuar mbi të.

“Armiku ynë është ekstremizmi dhe terroristët”

Ndërkohë, kryeministri austriak Sebastian Kurz në konferencën për media tha se sulmi është pasqyrimi i urrejtjes ndaj vlerave themelore, demokracisë dhe modelit të jetës së Evropës.

Ai tha se të drejtat dhe liritë themelore do të mbrohen në çdo mënyrë, duke tërhequr vëmendjen se nuk do të lejohet që terroristët të ndajnë shoqërinë.

Kurz më tej njoftoi se në sulm kanë humbur jetën 4 civilë të pafajshëm si dhe janë plagosur 14 të tjerë, shumica prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa shtoi se në mesin e të plagosurve është edhe një polic.

“Armiku ynë është ekstremizmi dhe terroristët. Kjo nuk është përleshje mes muslimanëve dhe krishterëve, është një përleshje mes civilizimit dhe barbarisë”, tha Kurz.

Në sulmin e mbrëmshëm në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, humbën jetën 4 civilë dhe sulmuesi ishte neutralizuar. Në sulm u plagosën 14 persona, shumica prej të cilëve në gjendje të rëndë.

AA