Skip to content

Përçarje pa kthim mes PD-së dhe LSI-së, Kryemadhi i kthehet keq Bardhit: Mashtrim pervers që kalon çdo limit njerëzor

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të numrit 2 në PD Gazment Bardhi, i cili tha se PD i ka ofruar LSI 15 deputetë të sigurtë që të dilnin në lista të përbashkëta. Kryemadhi thotë se një gjë e tillë jo vetëm që nuk është e vërtetë, por është një mashtrim pervers që i shërben vetëm Edi Ramës.

Kryemadhi pyet anëtarët e Kryesisë në PD nëse janë mbledhur ndonjëherë për t’i propozuar LSI-së listën e përbashkët, ndërsa shton se deklaratat e Gazmend Bardhit janë pjesë e mashtrimeve që u bënë dhe për djegien e mandateve, ku u tha se do të kishin mbështetje nga Merkel dhe PPE.

“Një pyetje për të gjithë anëtarët e kryesisë së PD: Kur është mbledhur kryesia e PD për t’i propozuar LSI  listën e përbashkët? Në cilën ditë dhe orë? Listës së mashtrimit, që për djegien e mandateve do t’i dilte në krah kancelarja Merkel dhe PPE, iu shtua tashmë publikisht edhe kjo e 15 mandateve të ofruara. Një mashtrim pervers që kalon çdo limit njerzor dhe që i shërben vetëm Ramës dhe hijes së tij”, shkruan Kryemadhi.

Gjatë emisionit Open mbrëmjen e djeshme, Gazment Bardhi u shpreh se PD i ofroi LSI-së 15 mandate të sigurta nëse do të hynin me një listë, por ata i janë përgjigjur se do të mund të fitonin 34 nëse ishin të vetëm.

Bardhi ka zbuluar dhe një bisedë që ka pasur me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Sipas sekretarit të demokratëve, Bardhi i ka thënë Kryemadhit se sipas sondazheve, LSI nuk siguron mandate në qarkun e Elbasanit.

“Sigurisht gjatë zgjedhjeve ka pasur një mungesë totale vullneti nga LSI për të bashkëpunuar me ne. Debati i famshëm nëse duhet të hynim në një listë të përbashkët apo në një listë të veçantë dhe që u provua se ishte një vendimarrje e gabuar për shkak se sot opozita do të kishte më shumë mandate nëse do të kishim hyrë në një listë. Ka qenë LSI që nuk ka pranuar.

Unë t’i tregoj të gjitha, të tregoj dhe biseda po deshe. PD i ka ofruar LSI 15 mandate të sigurta në listat e PD-së, qëndrimi i LSI-së ishte që sipas sondazheve të tyre, ata do të fitonin 34 mandate në të gjithë territorin. Kam patur një bisedë dy muaj në zyrën e kryetarit të partisë.

Thanë se do të fitonin të vetëm 34 mandate dhe se nuk pranojmë të hyjmë në një listë. Kam patur një bisedë me kryetaren e LSI-së në prezencë të nënkryetarit Vasili dy muaj pasi isha caktuar drejtues politik i qarkut të Elbasanit. Pasi vlerësova situatën politike në qark, konkludova se LSI nuk merrte sipas gjithë të dhënave, nuk arrinte të siguronte mandate në këtë qark” – tha Bardhi.

/faxweb