Skip to content

Përcillet për në banesën e fundit Artur Zheji

Personalitete të jetës publike, politikës, miq, kolegë dhe qytetarë i dhanë sot lamtumirën e fundit gazetarit dhe publicistit të njohur Artur Zheji ndërsa zhvilluan homazhe në nderim të tij në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë.

Artur Zheji u nda papritur nga jeta në moshën 64-vjeçare të shtunën e 23 gushtit.

Homazhet zhvillohen nga ora 10:00 deri në 12:00 në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura dhe pas homazheve do të organizohet edhe ceremonia e përcjelljes në varrezat e Tufinës.

Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Artur Zheji ndërroi jetë në qytetin e Sarandës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen.

Zheji njihej si një nga figurat e spikatura në gazetari dhe publicistikë.

Me një karrierë të gjatë në media, Zheji u bë një nga zërat dhe penat më të spikatur të gazetarisë dhe debatit publik në Shqipëri. Ai ka shërbyer në funksione drejtuese në disa media, në Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Për vite me radhë, Zheji do të jepte kontributin e tij si analist, drejtues emisioni, por edhe si editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë në mendimin mediatik shqiptar.

I lindur më 29 gusht 1961, Artur Zheji ishte i biri i euriditit të njohur shqiptar Petro Zhejit dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imamit.

Zheji u diplomua për regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, ku spikati dhe la gjurmën e tij në dramaturgjinë shqiptare. Në skenën e Teatrit Kombëtar, u vendos në skenë drama e tij “Raimonda”, përgjatë kohës së diplomimit.

Pas diplomimit, Zheji u zhvendos në Itali ku qëndroi për rreth 10 vite. Aty, ai punoi në “Radio Radicale” si specialist i çështjeve të Evropës dhe Ballkanit, përgjatë kohës së luftës së Kosovës, duke u bërë kështu dhe një zë i rëndësishëm i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Që prej vitit 2017, ai ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë.

Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe median shqiptare në përgjithësi.