Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka udhëtuar sot drejt Vlorës për të takuar në spitalin e qytetit 26-vjeçaren që mbeti viktimë e përdhunimit dhe nxitjes së përdorimit të lëndëve narkotike nga disa persona.

 

Balla tha për media se kultura e pandëshkueshmërisë së dhunës me bazë gjinore do të marrë fund.

 

Ai u shpreh se vajza do ketë mbështetje të plotë ligjore dhe se autorët do të ndëshkohen për krimin.

 

Duke kërkuar nga qytetarët që të kenë besim tek drejtësia, Balla tha se Prokuroria e Vlorës po e heton rastin në fjalë.

 

“Nuk është e vërtetë që policia ka vepruar me vonesë. Emrat e fajtorëve i cakton prokuroria, lëreni të bëjë punën e vet. Të bëhemi të gjitha bashkë sepse vajza mund të ishte motra e secilit prej nesh. Dhuna me bazë seksuale dhe gjinore nuk është e re, por është krijuar kulturë pandëshkueshmëri, ju garantoj se do të marrë fund. Jam këtu për të mbështetur këtë vajzë, që ka rënë pre e kësaj dhune.

 

Vajzë nga një zonë rurale që ka ardhur në Vlorë për të punuar dhe mbështetur familjen e vet. Kam ardhur t’i ofroj mbështetje kësaj vajze dhe familjes së saj.

 

Kini besim tek drejtësia. Prokuroria e Vlorës po e heton këtë çështje”, tha Balla jashtë spitalit të Vlorës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re