Prokuroria e Beratit,pasi ka mbyllur hetimet për 46-vjeçarin Belul Kokollari, që akuzohet për përdhunimin e nipit 7-vjeç, ka kërkuar sot përpara trupit gjykues 15-vite burgim për të. Gjatë seancës së sotme që u zhvillua rreth orës 15:45, Kokollari mbërriti nën masa të rrepta sigurie, ndërkohë që për shkak të sensivitetit të çështjes mediat nuk u lejuan të merrnin pjesë në seancë.

Pasi prokurori Elidon Hysenaj kërkoi 15-vite burg për Belul Kokollarin, trupi gjykues e shtyu dhënien e vendimit penal për në 11 Korrik. 46-vjeçari Belul Kokollari ka lindur në Kosovë, në fshatin “Malësi e Madhe”në Prizren. Ai akuzohet për veprën penale të “Marrëdhënieve seksuale apo homoseksuale me të mitur”, parashikuar nga Neni 100, paragrafi i parë i Kodit Penal.

Kokollari akuzohet se ka përdhunuar nipin e tij 8-vjeç, me iniciale A. S., në 4 Nëntor 2021 në banesën e tij në Malësinë e Madhe në Prizren, ku nipi kishte shkuar me pushime së bashku me nënën. Pas përfundimit të hetimeve të kryera,që kanë zgjatur rreth 10-muaj, Prokuroria e rrethit të Beratit, e përfaqësuar nga prokurori Elidon Hysenaj, e përcjelli çështjen për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Berat.

Sipas hetimeve të kryera dhe të dhënave të grumbulluara nga burimet e provave, Prokuroria e Beratit ka konfirmuar se provohet që shtetasi Belul Kokollari ka përdhunuar nipin e tij 8-vjeç, asokohe kur ndodhi ngjarja e rëndë, 7 vjeç.

DENONCIMI

Denoncimi në Komisariatin e Policisë së Beratit është bërë nga nëna e të miturit, Shpresa Selimaj në 10 Nëntor 2021. Ajo ka denoncuar në polici vëllain e saj Belul Kokollari, duke pretenduar se ai kishte kryer marrëdhënie seksuale me djalin e saj të mitur. Ajo ka deklaruar se është shtetase kosovare dhe e martuar në Berat, ku jeton me bashkëshortin e saj në lagjen “28 Nëntori” dhe se çdo 3-muaj shkonte në Kosovë për të vizituar vëllezërit e saj. Në datën 4 Nëntor 2021 ajo ishte nisur me djalin e saj drejt Kosovës, ku ka qëndruar deri në datën 9 nëntor dhe kur është kthyer në Shqipëri djali i ka treguar gjithçka.

HETIMET

E ëma e 7-vjeçarit e ka çuar djalin në polici, ku ai është pyetur në prani të prindërve dhe psikologëve. Pasi djali ka deklaruar se ka fjetur me dajën në Kosovë dhe se ai e kishte përdhunuar, i mituri është dërguar në Spitalin Rajonal të Beratit, ku edhe iu nënshtrua ekzaminimit mjeko-ligjor që konfirmoi thëniet e nënës dhe djalit. Mbledhja e të gjitha të dhënave nga ana e prokurorisë për fëmijën, përdorimi i testeve, vizatimeve, instrumenteve vlerësuese, dëshmitë e dhëna nga fëmija, vizitat tek specialistë të fushës siç janë neuro-pediatri, psikiatri, mjeko-ligjori dhe psikologët kanë demonstruar se fëmija ka kaluar një mundim emocional pas ngjarjes së ndodhur, se krimi është kryer dhe se fëmija ka pësuar “traumë” të rëndë.
I akuzuari Belul Kokollari mësohet se nuk e ka pranuar asnjëherë krimin, madje ka shkuar edhe më tej, duke kërkuar një ekzaminim për gjendjen e tij mendore, por pas ekzaminimeve të kryera, ka rezultuar se ai nuk vuan dhe nuk ka vuajtur asnjëherë nga probleme të shëndetit mendor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re