Një delegacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të Republikës së Turqisë dhe Drejtoria e Sigurisë Doganore, i cili kryesohej nga dy drejtorët e përgjithshëm Mustafa Gümüş dhe Murat Yaman, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, të cilët janë takuar me zyrtarë të lartë shqiptarë.

Sipas njoftimit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, rritja e bashkëpunimit mes dy administratave, sidomos në shkëmbimin e informacionit, por edhe lehtësimi i procedurave për biznesin e të dy vendeve, ishin në qendër të takimit bilateral të drejtorit të Përgjithshëm të Doganave Shqiptare, Genti Gazheli me delegacionin turk.

Takimin e përshëndeti edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në frymën e bashkëpunimit të dy qeverive shqiptare-turke.

Pata kënaqësinë të prisja në një takim së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Shqiptare, Genti Gazheli, delegacionin e lartë të Doganave Turke, të kryesuar nga dy Drejtorët e Përgjithshëm, z.Mustafa Gümüş dhe z.Murat Yaman.

Turqia është një nga partnerët tanë të rëndësishëm tregtar, ndaj dhe bashkëpunimi mes administratave doganore do të shërbejë për rritjen e asistencës, shkëmbimin e informacionit dhe përmirësimin e shërbimeve.

Mbetemi të angazhuar për të konkretizuar nisma dhe projekte që do t’i shërbejnë të dy vendeve tona”, ka thënë pas takimit Denaj.

Gjatë këtij takimi, Gazheli i njohu homologët me risitë e sistemit doganor shqiptar, si dhe theksoi rolin e dy administratave si shumë të rëndësishëm në nxitjen, zhvillimin dhe lehtësimin e tregtisë. Duke parë stadin e ri të marrëdhënieve mes dy vendeve, Gazheli i propozoi homologut turk, thellimin e bashkëpunimit institucional“, thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se Gümüş vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme dhe se ky bashkëpunim do të thellohet më tej me nisma dhe projekte të përbashkëta në fushën e IT-së, logjistikës dhe laboratorit doganor.

Sipas njoftimit, ndër çështjet kryesore që u diskutuan mes delegacioneve ishin bashkëpunimi në fushën programeve dhe menaxhimin e riskut, shkëmbimin e informacionit lidhur me legjislacionin në fuqi, teknologjia e informacionit dhe zhvillimet e pritshme, asistenca në logjistikë dhe asistencë dhe bashkëpunim në fushën e laboratorëve doganorë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re