Nga: Isa Bajrami
Bizneset sot pa reklamë, janë të pa konceptueshëm. Madje po të mbledhim fjalët e reklamave, mund të themi që ato përbëjnë një letërsi më vete. Natyrisht shumica e fjalëve shpesh janë të gjetura në këtë sektor. Unë, jo si një agjent shitjesh, por si një agjent letrar fjalësh, jam pak i dhënë të shoh se ç’fjalë konsumojnë biznese të ndryshme për të tërhequr klientët e tyre. Nuk është se kam bërë ndonjë studim të mirëfilltë, por me sa kam parë unë, fjala që përdoret më shumë është fjala “perfect-perfekte”. Në të shumtën e rasteve e shkruajnë në anglisht për tu dukur më trendi. Por sido që të jetë, e thënë me zë apo në mënyrë të shkruar, e përdorin kudo në siluetat e produkteve.

Çdo produkt mund të ç’doganohet, ndërsa fjala “perfekte” që ju mvishet produkteve, përdoret pa doganë. Përkundër të tjerëve të përdorimit me shumic të kësaj fjale, nga unë gjithmon ka patur një lloj bojkoti në literaturën time të të folurit. Ç’lloj të veçantë perfeksionizmi mund të ketë një produkt që prodhohet në seri, i cilësdo firme të njohur qoftë? E veçanta gjithmonë vlen më shumë. Dhe produktet që ndokush i konsideron perfekte, kur blihen me shumicë kushtojnë më lirë, ndërsa kur fillojnë shiten në një dyqan lagjeje, shiten më shtrenjtë. Atëherë, a nuk mjafton dhe veç ky shporpocion i thjeshtë të kuptojmë që kur diçka nga e përgjithshmja shndërrohet në më të veçantë, merr më shumë vlerë? Madje për çudi, kam dëgjuar që disa kompani ti cilësojnë si lider. Si mund të përdoret cilesimi për një kompani si lider? A frymore është një kompani? A ka logjikë dhe liri veprimi të ndërgjegjshme si njeriu, një kompani ? Po ashtu si mund të prodhojë diçka perfekte njeriu në fabrikat e këtyre kompanive, kur njeriu akoma nuk ka njohur veteveten, dhe me aq sa e ka njohur, i rezulton jo i plotë, jo perfekt ?

Në shekullin e 19 njeriu nga qendra e jetës së tij, largoj Zotin dhe vendosi veten. Si? Tani nuk i pëlqen më njeriut të jetë Zot, dhe superlativat ia mvesh një produkti që e ka prodhuar vetë, siç bënin dikur politeistët arabë? Nëse jeta jonë është e mbushur me kaq gjëra perfekte, atëherë pse jeta jonë nuk është më e mire ? Pse vetë ne nuk jemi më të mirë ? Por edhe pse i gjithë qyteti është i ambalazhuar me xham dhe beton, prap askush nuk mendon që të mos ia thyej shpirtin tjetrit si të ishte qelq. Dhe shumëkush bën keq, sikur do jetoj edhe njëqind vjet më shumë sesa jetëgjatësia e betonit. Një “perfeksion” tjetër i njeriut është që tashmë ka arritur të krijojë dhe xhama që mundësojnë të shihet nga brenda jashtë, e të mos duket asgjë nga jashtë brenda. Pra një lloj mbyllje në vetvete dhe e vendeve. Mos ndoshta në kohët e sotme dhe vendet ndihen të vetmuar si njeriu në mesin e njerzëve? Nëse “Teatri Kombëtar” i shembur nuk ndërtohet “aty ku ishte dhe siç ishte”, dhe në vend të tij ndërtohet një kompleks me teatër e qëndër tregtare, dhe nëse ai truall shëndërrohet më shum i populluar me njerz, prap do ndihet vend i vetmuar. Po ashtu, dhe vilat e vjetra që po shemben në Tiranë për tu ndërtuar pallate më të populluara me njerëz, ato troje prapë do të ndihen vende të vetmuara edhe pse të banuara me më shum njerëz.

Meqë betoni është bërë më atraktiv në këtë qytet, e bëjnë njeriun të mendoj ti zbus më shumë qentë me të cilët shëtit, sepse nuk do gjej gurë ti godas nëse sulmohet prej tyre në rrugë. Qentë me të cilët shohim të shëtisin njerëzit sot, ndoshta do të donin të ishin shokët besnik të qenit Katmir, mirëpo po të zotërit e tyre, a do të donin të largoheshin nga qytetet e sotme, si ata të As-habu Kehfit? Nuk e di se çfarë do të bënin, por unë di që mistikët musliman kanë një fjalë të tyre në formë qëllimi metaforik. Ata thonë: “Çdo vend duam ta shëndërrojmë në Dergah (vend ku adhurohet Zoti)”. Pra me këtë nënkuptonin se njeriu duhet të ketë vetëdijen se kudo dhe kurdo që të ndodhet është nën mbikëqyrjen e Zotit, dhe për këtë arsye duhet të jetë njeri i mirë në çdo çast të jetës së tij. Po ne, meqë jemi vend laik, pse nuk mendojmë figurativisht që: “ çdo vend ta shëndërrojmë në librari”? Pra thënë ndryshe, kudo dhe kurdo që të jemi, duke ju bindur më shumë ndërgjegjes tonë sesa ligjit, të jemi qytetar më të përgjegjshëm. Shumëkush prej nesh mundohet të blej parfum nga firmat më prestigjoze, por pse askush nga ne nuk mendon figurativisht që, çdo vend ta kthej në dyqan lulesh? Parfumin ta shohim si diçka personale, ndërsa dyqanin me lule si një detyrë shoqërore. Por ne mundohemi të ecim gjithë fodullizëm, dhe kur shohim që ndonjë nga pllakat e trutuarit ka lëvizur nga vendi, tregojmë kujdes mos na cërkiten pantallonat apo këpucët firmato. Po ç’ti duam këpucët firmato që nuk fusin ujë, kur neve nuk duam të na njomen duart duke i fshirë lotët dikujt që është në hall? Po sa perfekt jemi ne kur qytetin e bëjmë çdo ditë më të pajetueshëm, duke e shndërruar atë si ato kartonat e zhubravitur hedhur diku mbas furnizimit të një marketi?

Kur jemi duke ecur në rrugët e këtij qyteti, shohim aty këtu ndokënd të ketë vendosur një peshore në trotuar për të fituar më të, shumfish më pak se kursimi i një të punësuari në administratë apo në një biznes privat. Dikush në ato peshore sheh veten sa ka rënë në peshë, ndërsa ai që ia afron këtë shërbim, ka dalë për të fituar bukën e gojës. A mund të ketë prefeksion kur shohim këtë kontradiksion? Këtu veç vidhet, në çdo instancë, dhe atje ku vidhet diçka, do të thotë se rrëmbehet diçka nga plotësia e diçkaje, dhe për këtë s’mund të plotësohet as ai qe vjedh, kur kjo që përfiton nuk është një arritje si rezultat i intelektualizmit apo profesionalizmit të tij.

Si mund të jetë shoqëria jonë prefekte, e plotësuar dhe e realizuar, kur edhe një rrugë e nisur për tu asfaltuar në ndonjë nga fshatrat e vendit tonë, ngel në gjysëm, e papërfunduar, për arsye të “mbarimit” të fondit qindra milionësh ? Apo segmentin që e lënë gjysëm, e lënë për shkak që e paramendojnë se rruga do të shëmbet, duke treguar revoltë në emër të natyrës kundra asfaltit? Si mund të jemi ne shoqëri perfekte demokratike, kur komunizmi këtij vendi i ka vjedhur 50 vjet nga koha e tij, duke shkatërruar strukturën ekonomike dhe sociologjike të këtij vendi, pasoja të cilat i vuajmë edhe sot? Ç’ndryshim të qenësishëm kemi bërë ne nga komunizmi deri më sot, përveçse nga errësira e tuneleve të nëndheshëm të byrosë politike, kemi kaluar në xhamat e errët të makinave lluksoze? Ndryshimi në mendësi nuk është se ka ndodhur shumë. Perfeksionizmi nuk arrihet me arsimim dhe dije. Po të ishte kështu, sot s’do kishim kriminel me arsim të lartë. A nuk është njerzillëku rruga më e bukur drejtë perfeksionizmit?

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re