Skip to content

Përfitoi 1 milion euro nga transferimi i paligjshëm i aseteve, arrest në shtëpi për shtetasen në Tiranë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka dhënë masë sigurimie “Arrest në shtëpi” për shtetasen E.D., për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se nga hetimet e zhvilluara dhe të kryera në këtë procedim penal, rezultoi e provuar se në vitin 2013, shtetësja E.D. me cilësinë e përfaqësueses ligjore të shoqërisë “Prodhim Veshje nr.02” sh.a, (shoqëri e krijuar nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, ku punonjësit e kësaj ndërmarrje janë bërë aksionerë të shoqërisë), nëpërmjet vendimeve apo akteve të tjera të falsifikuara dhe në mënyrë krejtësisht të paligjshme ka kryer kalimin e të gjitha pasurive të paluajtshme (toka dhe ndërtesa) të shoqërisë së sipërcituar, tek shoqëria “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k, e cila në momentin e krijimit zotërohej 100% prej saj.

Në njoftim theksohet se kjo shtetase më pas ka transferuar dhe zhvendosur pronësinë e kuotave të shoqërisë “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të kapitalit të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.

“Pasuritë e paluajtshme të transferuara në mënyrë të paligjshme tek shoqëria “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k, janë dhënë me qira duke realizuar të ardhura të larta, një pjesë e tyre janë shitur në vlerën 1,000,000 Euro”, cilësohet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, nga pasuritë e transferuara në mënyrë të paligjshme, shoqëria shoqëria “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k, ka realizuar pasuri me vlera miliona euro, duke përjashtuar nga përfitimi i pjesës takuese të të ardhurave aksionerët e tjerë në shoqërinë “Prodhim Veshje nr.02” sh.a.

Prokuroria, bën me dije në njoftim se transferimi i aseteve të pasurive nga njëra shoqëri tek tjera është kryer jo vetëm mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe në kundërshtim me ligjin por edhe nëpërmjet akteve të tjera të paligjshme përfshi edhe ato korruptive, me qëllimin e posaçëm të dëmtimit të interesave të aksionarëve në minorancë të shoqërisë “prodhim veshje nr.02”, të cilët ishin kryesisht pensionistë (ish punonjës të ndërmarrjes shtetërore NPV) dhe në vështirësi për të realizuar të drejtat e tyre.

Gjykata vendosi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” ndaj shtetases E. D., e akuzuar për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”. Ndërsa me vendimin e datës 27.11.2025 u vendos vazhdimi i kësaj mase.

Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar vlerën e dëmit dhe produktit të veprës penale.