Ministria e Financave, Delina Ibrahimaj tha se 4 bashki janë në vështirësi financiare serioze ndërsa 8 të tjera kanë probleme financiare. Në këtë kuadër, do të rishikohet mënyra e llogaritjes së performancës financiare, jo më mbi planin e buxhetit por mbi faktin e shpenzimeve dhe të ardhurave.

Nisur nga kjo, eksperti për çështjet vendore, Agron Haxhimali tha për “Sheshi i Dollarit” me gazetaren Genta Dobra se bashkitë duhet të jenë më të disiplinuara. Eksperti shtoi gjithashtu se duhet të ketë masa ndëshkimore ndaj këtyre institucioneve që nuk tregojnë korrektesë në këtë aspekt.

“Duhet të kemi disiplinë bazike financiare në nivel vendor. Ne mund ta kritikojmë qeverinë për shumë gjëra por themelet janë bashkitë. Vetë bashkitë duhet të kenë një performancë më të mirë, të mos bëjnë evazion dhe të ketë disiplina financiare. Nuk duhet të bëjnë tendera dhe blerje apo shpenzime kur nuk i kanë paratë, kjo është shkelje e rëndë. Bashkitë nuk duhet të kalojnë më në këtë rrugë, duhet disiplinë financiare.“, theksoi eksperti.

Ndërkohë, eksperti u ndal edhe tek menaxhimi gjatë sezonit turistik, kryesisht bashkitë bregdetare. Haxhimali theksoi se numrat në sektorin e turizmit janë të kënaqshme por shtoi se edhe bashkitë duhet të jenë të kujdesshme për të menaxhuar territorin.

“Premisat për turizmin janë shumë të mira. Ky është një burim i mirë ekonomik. Në fillim nisi mirë por shikojmë se kohët e fundit kemi pasur përplasje, zaptime të vijës bregdetare nga persona pa marrë leje nga bashkia apo dhe probleme të tjera. Çfarë tregon kjo? Që pushteti lokal e ka vështirë ta mbajë ritmin sistemik të kontrollit të territorit. Tani që kemi më shumë dyndje, sistemi është i tillë që me zor e përballojnë. E rëndësishme është që nuk kemi shqetësime në këto bashkitë bregdetare për dritat dhe ujin. Apeli është që të bëjnë kujdes këto dy muaj vetëm për menaxhimin dhe pastrimin e zonave bregdetare.“. theksoi eksperti.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re