Këtë fundjavë u finalizua gara ndërkombëtare e varkave me vela, që ndryshe njihet edhe si “Regata e Miqësisë”, Brindisi-Vlorë.

 

Mes 35 velierave që morën pjesë në këtë garë, 15 prej tyre u vlerësuan me çmim.

 

Velierat pushtuan brigjet e Vlorës që nga data 6 korrik, duke finalizuar këtë të dielë garën që zhvillohet për të dytin vit radhazi në Marina Orikum.

 

Në mënyrë simbolike zyrtarë nga rajoni i Puglias mbërritën me hidroplan për t’u bërë pjesë e kësaj ceremonie.

 

Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në prani të kryeministrit Edi Rama, drejtuesve të Marina Orikum, deputetë të parlamentit italian, kryetarit të Bashkisë të Bridisit dhe të tjerë.

 

Kryeministri Edi Rama e quajti këtë një pushtim të këndshëm.

 

EDI RAMA

 

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

“E mirëpres krahëhapur çdo aktivitet italin, ky është një pushtim  shumë i këndshëm. Shpresoj që kryetari i ri Bashkisë, Ermal Dredha të bëjë të gjitha ato që tha. Unë shpresoj që Vlora do të jetë gjithnjë e më mikpritëse dhe gjërat do të shkojnë gjithnjë e më mirë. 

 

 

Për CEO-n e “Concord Investment”, Artan Dulakun kjo regatë pritet të zgjerohet edhe më tej edhe në Sarandë.

 

ARTAN DULAKU

 

CEO I CONCORD INVESTMENT

 

“Tashmë kjo është një traditë, që me siguri do ta vazhdojmë edhe në vitet e ardhshme. Vitin tjetër do të bëjmë Brindisi-Vlora  dhe Vlorë-Sarandë. Jeni të gjithë të mirëpritur në marinën e  ardhshme që do të fillojë shumë shpejt.”

 

Kryetari i Bashkisë së Brindisit tha se kjo regatë miqësie hap rrugë për bashkëpunime të mëtejshme mes Shqipërisë dhe Italisë.

 

Ndërsa kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha shpalosi projektin për të bërë aktivitete 12-mujore, që sipas tij, do të ndodhin shumë shpejt.

 

Ky aktivitet u realizua falë partneritetit të Marina Orikum me “Lega Navale Italiana”. Kjo marrëveshje pritet që të gjejë zbatim edhe në vitet në vazhdim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re