Ka përfunduar votimi në të gjitha degët e Partisë Demokratike në rrethe, ku anëtarët e PD u thirrën të ratifikonin vendimin e marrë një javë më parë nga kuvendi kombëtar për të shkarkuar Lulzim Bashën si kryetar.

Ndërkohë që në të gjitha degët thuajse është mbyllur edhe procesi i numërimit, Sali Berisha ka paralajmëruar një konferencë për mediat në selinë e PD në orën 20:00.

Në seli ndodhet edhe Basha, pasi po zhvillon një mbledhje të kryesisë së partisë, ku do të diskutohet për atë që do të propozohet në mbledhjen e paralajmëruar për nesër të këshillit kombëtar të PD.

Basha dhe mbështetësit e tij organizuan gjatë kësaj të shtunë kuvendin e tyre kombëtar, ku miratuan një vendim për të larguar nga funksionet drejtuese në parti të gjithë personat e shpallur “non grata” apo që kanë pasur poste drejtuese gjatë regjimit komunist. Duke folur për gazetarët në seli, Basha tha:

“Nuk ka referendum, ka vetëm disa anëtarë të PD të cilëve u bëj thirrje t’i bashkohen vendimeve të institucioneve. PD ka pasur një aktivitet, rezultati është shpallur. Ka një parti Demokratike, me një kuvend kombëtar. Të gjitha të tjerat janë përpjekje personale të një njeriu për t’i kthyer demokratët mish për top”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re