Ka përfunduar mbledhja e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha me aleatët, ditën e sotme në selinë blu.
Basha nuk ka pranuar që të flasë gjatë para gazetarve, vetëm ka dhënë një prononcim të shkurtër, duke u shprehur se: “Nuk ka formulë që ta shpëtojë nga humbja. Vetëm po ndryshoi me kushtetutë zgjedhësit”.
Kujtojmë se një ditë më parë Kuvendi miratoi pa konsensusin e opozitës jashtë parlamentare ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, ku parashikohet heqja e koalicioneve dhe hapja e listave sipas amandamentit të propozuar nga Partia Socialiste.
Basha u shpreh se Rama me atë akt ka hedhur hapin e tij të fundit drejt greminës, dhe se askush nuk do të mund ta shpëtojë më nga humbja e sigurt. Basha theksoi në reagimin e tij se Rama shkatërroi konsensusin e 5 qershorit, që u arrit me negociimin e ndërkombëtarëve.
Basha: Akti i sotëm antikushtetues shkatërron konsensusin e 5 qershorit dhe godet rëndë integrimin europian të vendit. Rama e hodhi hapin e fundit drejt greminës. Por ai nuk do ti marrë dot me vete Shqipërinë dhe shqiptarët. Asgjë nuk e shpëton dot atë nga humbja dhe ndëshkimi që e pret!
Kujtojmë se deputetët që kanë votuar kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në Kuvend ishin Adriatik Alimadhi, Myslim Murrizi, Ralf Gjoni, Kujtim Gjuzi, Artur Roshi, Zef Shtjefni, Ambra Borova, Gjetan Gjetani, Fatjona Dhimitri, Halit Valteri, Erion Piciri dhe Elda Hoti.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor ku përfshihet heqja e koalicioneve, ulja e pragut në 1 për qind, e drejta e kryetarit të partisë të garojë deri në 4 zona zgjedhore, por dhe renditja e kandidatëve nga kryetari i partisë, por me rirenditje pas numërimit, ka marrë miratimin nga deputetët në Parlamentin e Shqipërisë.
Mësohet se pro votuan 94 deputetë, ndërsa për ‘vulosjen’ në ligj të këtij Kodi Zgjedhor nevojiteshin vetëm 84 vota. (M.Q/faxweb.al)
/faxweb
