Me 14 vota pro, një kundër dhe asnjë abstenim, mazhoranca ka miratuar në Komisionin e Ligjeve raportin për ngritjen e një Komisioni Hetimor me qëllim shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Në përfundim të mbledhjes, kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja deklaroi: “Vendosim t’i propozojmë Kuvendit të Shqipërisë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të hetuar shkeljet e kushtetutës nga ana e presidentit të Republikës”.

I vetmi anëtar i Komisionit të Ligjeve që votoi kundër ngritjes së Komisionit Hetimor për presidentin ishte Adriatik Alimadhi.

“E bashkoj votën time dhe ju ftoj që këtë raport të Komisionit të Ligjeve. Që t‘i propozojmë Kuvendit miratimin e këtij raporti duke propozuar ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të hetuar të gjitha këto shkelje të natyrës kushtetuese.

Nëse ky komision hetimor do të konstatojë nëse në të gjithë veprimtarinë e presidentit ka shkelje të rëndë të Kushtetutës t‘i propozojë Kuvendit shkarkimin e Presidentit të Republikës”, tha Manja.

Komisioni kishte ftuar për të dëgjuar presidentin Ilir Meta, por ky i fundit kërkoi që të shprehej në datën 10 maj, për shkak të kohës së pamjaftueshme për mbrojtjen dhe për shkak se nuk mund të anulonte axhendën e takimeve të datës 6 maj.

49 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë përpiluan një raport ku kërkuan nisjen e procedurës për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

9 maji është data e fundit kur Kuvendi mund të ngrejë Komisione Hetimore, pasi ligji përcakton që nuk mund të ngrihen komisione 4 muaj para mbarimit të afatit të Parlamentit.

Nesër pritet të mbahet seanca e Kuvendit ku pritet të votohet lidhur me ngritjen e Komisionit Hetimor për kreun e shtetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re