Ka përfunduar numërimi i votave dhe në qarkun e Vlorës, ku Partia Socialiste ka siguruar 9 mandate, ndërsa Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, vetëm 3.
Sipas rezultateve nga KQZ, 9 deputetët e PS në këtë qark janë, Bledar Çuçi, Zamira Sinaj, Erjona Ismaili dhe Pirro Vengu, të cilët ishin në listë të mbyllur, ndërsa nga lista e hapur kanë arritur të sigurojnë mandat Damian Gjiknuri, Vullnet Sinaj, Ardit Bido, Vasil Llajo dhe Brunilda Mersini.
Nga këta deputetë, 5 janë emra të rinj në PS, si Zamira Sinaj, Erjona Ismaili, Ardit Bido, Vasil Llajo dhe Brunilda Mersini.
Ndërkohë, nga lista e hapur kanë mbetur jashtë Parlamentit të ri shtatë kandidatë.
PD-ASHM në qarkun e Vlorës ka arritur të sigurojë vetëm tre mandate nga katër që kishte caktuar në listë të mbyllur.
Deputetë në Kuvendin e Shqipërisë do të jenë serish vetëm Bujar Leskaj, Vangjel Dule dhe Ina Zhupa, ndërsa Atird Hoxha, i cili gjithashtu ishte në listë të mbyllur, nuk arriti të sigurojë një mandat.
Nga kandidatët në listë të hapur nuk mundën të fitonin një mandat dhe 12 kandidatë të tjerë.