Ka përfunduar Samiti i Ballkanit Perëndimor me BE për “Planin e rritjes ekonomike”.

foto familjare

Pas përfundimit të Samitit, është realizuar foto familjare e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE.

Samiti ka zgjatur rreth 1 orë dhe u diskutua për planin e rritjes ekonomike, si edhe procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Çfarë është plani për rritjen ekonomike i miratuar

Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.

Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”.

Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.

Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.

Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re