Ka përfunduar seanca në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, për të arrestuarit në kuadër të operacionit hetimor të zhvilluar më 2 korrik, në zyrat qëndrore të kompanisë “Bankers Petroleum”.

Gjykata e Fierit vendosi lënien në fuqi të të gjithë masave që kishte vendosur Prokuroria.

Burg për dy drejtuesit e kompanisë dhe për 5 punonjës “detyrim paraqitje”, si dhe për dy financierët masën “arrest shtëpie”.

Në sallën e gjyqit të pandehurit janë shprehur se jemi të pafajshëm duke mos pranuar asnjë nga akuzat e ngritura nga Prokuroria e Fierit për evazion fiskal apo të shpërdorimit të detyrës.

Hetimi ndaj “Bankers”

Hetimet kanë nisur më 30 dhjetor të vitit të kaluar, pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Gjatë këtyre muajve, prokuroria thotë se në bashkëpunim të ngushtë me “Tatimet” kanë grumbulluar prova të mjaftueshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë kryer disa vepra penale.

Nga hetimi rezulton se “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier.

Ndërkohë shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë.

“Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të TVSH-së, është në miliona euro”, njoftoi prokuroria.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje.

Më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme.

“Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë”, njoftoi prokuroria.

Ndërkohë hetimet vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndryshme mashtrimi për TVSH-në dhe pastrim parash, ku sipas prokurorisë së Fierit mendohet se “janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko