Ka përfunduar takimi i kryetarit të Partisë Demokratike me partitë aleate të opozitës.

Për mediat foli vetëm kryetari i Partisë Republike, Fatmir Mediu, i tha pas takimit se protestat do të vazhdojnë, pa dhënë sqarime të tjera apo datë të caktuar.

Mediu deklaroi gjithashtu se vendi po bën hapa pas për shkak të papërgjegjmërisë së Ramës, siç thotë ai.

“Ne kemi thënë që brenda 6 muajsh është e mundur që të organizohen zgjedhjet, por së pari duhet  të largohet Rama dhe të krijohet një qeveri tranzitore”- u shpreh ai.

I pyetur nëse do të vijojnë protestat, Mediu u përgjigj ‘Të gjitha’.

Ai tha se duhet ndaluar ky “grusht shteti” i organizuar nga kryeministri Rama.

“Ne duhet të marrim çdo hap bashkë me qytetarët për të ndalur këtë grusht shteti të organizuar nga Rama.

Për me tepër sjella e Ramës duke arrestuar protestuesit dhe përfaqësuesit është kriminale na kthen në kohët e errëta të komunizmit ku arrestoheshin kundërshtarët politike.

Është qartësuar tashmë edhe pozicioni i BE, që ka vendosur për të mos hapur negociatat dhe shtete të tjerë që po kërkojnë vendosjen e vizave.

Nëse Rama e gjeti vendin vend të NATO dhe me viza të liberalizuara, sot po shkojmë hapa pas për shkak të papërgjegjshmërisë së Ramës dhe shqiptarët duhet të çohen dhe të reagojnë ndaj kësaj situate”, tha Mediu.

Ndërkohë, në orët e pasdites (18:00), Basha pritet të zhvillojë një takim me Kryesinë e Partisë dhe ish-grupin parlamentare.

Gjatë këtyre mbledhjeve, do të caktohen detaje të aksionit politik të opozitës, ndërkohë që data 30 qershor po afron.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re