Ka përfunduar mbledhja e kryeministrit Edi Rama me një pjesë të kryebashkiakëve të vendit. Siç shihet dhe në videon e mëposhtme, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka zgjedhur që të largohet nga mbledhja me biçikletë, ndërkohë që Rama do të vijojë mbledhjen me një pjesë tjetër të kryebashkiakëve.

Faxweb.al mëson se Rama iu ka kërkuar kryebashkiakëve që të mos bëjnë pushime, por të vazhdojnë takimet me qytetarët.

“Nuk do të ketë pushime për ju këtë verë, vijoni takimet me njerëzit. Pavarësisht pandemisë, ju duhet të gjeni mënyra për tu takuar me qytetarët”, mësohet të jetë shprehur Rama në mbledhje.

Gjatë ditës së djeshme Rama zhvilloi mbledhje dhe me të gjithë deputetët, ku theksoi se nuk do të mbahen zgjedhje të parakohshme lokale, pavarësisht pretendimeve të bëra nga ana e opozitës jashtëparlamentare.

Rama ka biseduar me ta në Sallën e Hartave në kryeministri për disa orë ku ka prekur edhe temën e koalicioneve parazgjedhore për të cilën tha se në zgjedhjet e ardhshme, mund të mos regjistrohen fare koalicione.

“Të vijohet me punën në terren, të jeni pranë njerëzve në këtë kohë pandemie. Deputetët tanë nuk mund të jenë me pushime në fundjavë. Duhet të jeni në terren. Të mos shkëputemi me njerëzit. Të mos kemi pushime. Duke qenë se shifrat e pandemisë nuk duken mirë, nuk duhet të fshihemi pas tyre për të mos shkuar në terren. Unë nuk besoj te listat e hapura. Por këtë është mendimi im personal. Këtë do t’a diskutojmë në Parlament. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe sistemim nuk i bëjmë dot vetëm. Duhen votat e opozitarëve”, ka thënë Rama.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re