Të paktën 1,400 bluza ta bardha, pra punonjës të kujdesit shëndetësor, janë vrarë në Gaza gjatë sulmit ushtarak 19-mujor të Izraelit. Këto sulme sistematike tregojnë, se Izraeli po zhvillon një luftë kundër kujdesit shëndetësor në Gaza, gjë që nuk mund të lejohet të vazhdojë, thotë Ndihma Mjekësore për Palestinezët (MAP).

Mjekët, infermierët, ndihmësit mjekësorë dhe kirurgët janë bombarduar në spitale, janë varrosur nën rrënoja ose janë shënjestruar qëllimisht në ambulanca të shënuara qartë. Komisioni Hetimor i OKB-së ka thënë se këto sulme përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit me synim shfarosjen.

Dr. Khaled Al-Shawa, një kirurg në Gaza, tha: “Pas 19 muajsh, ajo që ndiej më shumë është pafuqia. E gjithë kjo kohë ka kaluar, e megjithatë ne ende qëndrojmë para pacientëve dhe nuk mund të mos i shohim ata të vdesin. Ne jetojmë nën kërcënim të vazhdueshëm. Askund nuk është i sigurt. Në çdo moment, mund të jemi shënjestër. Si ekipe mjekësore, kemi humbur kaq shumë. Unë vetë humba nënën time dhe shumë të afërm të tjerë gjithashtu.

Rreziku që na rrethon është i madh. Mesazhi im është i njëjti, që e kemi përsëritur për më shumë se një vit e gjysmë: ekipet mjekësore që vazhdojnë të kujdesen për pacientët dhe qëndrojnë në postet e tyre në këto kushte shkatërruese duhet të mbrohen. Siguria e tyre duhet të garantohet dhe simbolet që mbajnë, të cilat i shënojnë qartë si ekipe mjekësore, duhet të respektohen. Kjo është e shenjtë. Duhet të ndërmerren veprime urgjente për të mbrojtur punonjësit mjekësorë”.

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS) vazhdon të veprojë në kushte jashtëzakonisht të vështira humanitare në Rripin e Gazës, mes luftës së vazhdueshme dhe sulmeve të përditshme në rritje. Këto ngjarje janë shoqëruar me mbylljen e plotë të pikave kufitare dhe parandalimin e hyrjes së ndihmës humanitare, furnizimeve mjekësore dhe ushqimore, duke çuar në një paralizë pothuajse totale të shumicës së sektorëve jetikë.

Pacientët po vuajnë gjithashtu nga një mungesë e madhe ilaçesh, veçanërisht ato për sëmundjet kronike, antibiotikëve dhe formulave për foshnje, duke vënë në rrezik vdekjeje jetën e mijëra pacientëve dhe të plagosurve.

Përgatiti në shqip: Roald A. Hysa

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko