Gjatë një harku kohor prej pak ditësh, pamë që në vendin tonë vdiqën nga aksidentet 7 vetë, pamë dhe një masakër në një lokal në Tiranë ku u plagosën 6 vetë, ndër të cilët një vajzë e vogël dhe mbeti e vrarë gjyshja e saj, një zonjë që punonte banakiere në atë lokal.

Në rastin e aksidenteve me pasojë humbjen e jetës, aksidenti tek rrethrrotullimi i TEG-ut ishte ai më tragjiku me tre viktima, por edhe më problematiku në aspektin shoqëror. Aksidenti u shkaktua nga një i ri 20 vjeçar, i pajisur me patentë para një viti. Makina që ai drejtonte fluturoi disa dhjetëra metra nga shpejtësia e madhe me të cilën ecte, duke u perplasur me një makinë ku ishte një familje që shkonte drejt Elbasanit dhe me murin e nënkalimit. Në momentin e aksidentit i riu ishte në shoqërinë e dy vajzave, të cilat me sa duket ia rrisnin adrenalinën. Në aksident vdiqën të tre te rinjtë që ishin në këtë mjet dhe u plagosën familja në mjetin tjetër që shkonte drejt Elbasanit.

A ishte kjo një vdekje e rastësishme apo aksidentale ?

Jo. Megjithëse aksident, ai nuk ndodhi rastesisht dhe papritur. Veprimet e këtij të riu kishin marrë një rrugë që herët apo vonë do të shkonte në këtë pikë. Ky i ri, kishte tre herë që bënte xhiro me shpejtësi marramendëse në këtë segment pak të rrahur të Unazës dhe bënte gara me makinat e tjera. Në faqen e tij instagramit ai postonte rregullisht video që fluturonte nëpër rrugët e Shqipërisë me makina lluksoze, me shpejtësi deri në 270 km në orë dhe mburrej që timonin e mbante me një dorë. Përveç të tjerave nga të dhënat paraprake, ai dyshohej se mund te ishte nën efektin e lëndëve narkotike apo alkolit.

Gjithsesi një gjë mund ta themi me siguri, minimalisht ky i ri vdiq me, dhe nga një ves moral, dëshirën për të bërë show, dëshirën për tu dukur e për tu mburrur. Dëshira për tu dukur para ndjekësve të tij në instagram, e bëri që ai të ecte me shpejtësi të tilla marramendëse dhe po kjo dëshirë për tu dukur para atyre vajzave që kishte në makinë, bëri që të ecte me atë shpejtësi që në fund u mori jetën të treve.

Duke e parë nga aspekti shoqëror, shembulli i këtij të riu është shembull i një numri të madh të rinjsh të përkedhelur nga prindërit dhe të plotësuar në kërkesat e tyre për të pasur makina të shtrenjta, para për të prishur dhe kurva për tu dëfryer. Përveç vesit të mburrjes në rrjetet sociale, aksidente të tilla ndodhin rregullisht për shkak të përdorimit të alkolit dhe drogës, arrogancës dhe të bërit si të fortë.

Në rastin e masakrës në zonën e Don Boskos, rrethanat ishin akoma më të dhimbshme. Vajza e vogël e cila mbeti e plagosur, jetonte me gjyshen e cila mbeti e vrarë në këtë masakër. Gjyshja e saj ishte edhe nënë edhe baba për të. Gjyshja punonte dy punë që të siguronte jetesën dhe vajza e vogël qëndronte në punën e gjyshes sepse nuk kishte me kë të qëndronte në shtëpi. Gjyshja u vra teksa nuk mori masa të mbrohej si gjithë të tjerët në lokal por doli nga banaku dhe vrapoi për të mbrojtur vajzën e vogël.

Po kush përflitet të jenë targeti dhe porositësit e kësaj masakre ?

Të dyja palët përflitet të jenë banda kriminale të angazhuar me vrasje, drogë, vjedhje, bixhoz, tjetërsime pronash, etj. Deri tani nga përplasjet ndërmjet tyre kemi parë më shumë se dhjetë apo mbase më shumë se njëzet të vrarë, duke e kthyer vendin në arenë luftimesh.

Çfarë vepron qeveria ?
Qëndrimin e tij kryeministri Rama e ka thënë qartë para pak kohësh, “kokat hëngshin”. Nga deklerata e tij, më e pakta që kuptohet është që qeveria, forca e shtetit dhe e ligjit nuk egziston dhe përveç kësaj kryeministri në papërgjegjshmëri të plotë thotë vrituni e copëtohuni, sikur kjo të ndodhë në ndonjë shtet të largët, e jo në shtetin që ai drejton dhe që është pergjegjës për sigurinë e tij.
Megjithëse kryeministri deklarohet indiferent ndaj këtyre akteve, në fakt po të gërrmosh më thellë, shikon që funksionare të lartë shteti, police, deri dhe drejtorë policie dyshohen se janë palë me bandat dhe kanë marrë shuma marramendëse parash prej tyre, për favorizime të ndryshme apo per informacione mbi palët kundërshtare. Ndër të tjera, ajo që dihet e sigurtë është që palët mbrohen dhe shoqërohen nga policë dhe atentatet janë kryer edhe nga forca komando.

Por çfarë vepron policia ?
Ndërkohë që vendi zjen nga lufta e bandave dhe terrori dhe viktimat e tyre në popullin e pafajshëm, policia në mënyrë më të paturpshme dhe të pamoralshme prioritetin kryesor ka mbledhjen e të ardhurave, duke u kthyer në inspektoriat tatimor taksambledhës. Nga mëngjesi deri në darkë angazhimi kryesor i tyre është të vendosin sa më shumë gjoba parkimesh, aty ku duhet po edhe aty ku sduhet apo të ndjekin ku ka ndonjë vend që ndërtohet ndonjë gardh, që të arrestojnë kriminelin që ndërton pa leje. Kur i pyet se ç’është kjo punë ?! Të përgjigjen: “S’kemi ç’të bëjmë, na kanë rritur normën dhe na i kërkojnë me domosdoshmëri”. Po çfarë i intereson popullit nëse vendos gjoba parkimi apo jo policia, njerëzit nga policia presin rendin dhe sigurinë.
Çdo qytetar normal pyet: Çfarë vlere ka policia kur ajo nuk siguron rendin dhe qetësinë, që është thelbi i punës së saj.

Të kalojmë tek qarkullimi rrugor dhe rasti i aksidentit me tre të rinjtë viktima. Të ecësh nëpër autostrada në Shqipëri rregullisht ndeshesh me raste të rënda shkejesh me rrezikshmëri të lartë për jetën nga kategoria e këtyre pijanecëve, të droguarve, të fortëve dhe “të djegurve” për tu dukur e për tu mburrur. Shpejtësi të jashtëzakonshme, parakalime nga krahu i djathtë, histeri me parakalim duke i rënë borisë apo duke u ngjitur nga mbrapa makinës. Histerinë e ndesh rregullisht edhe brenda në qytet, tek ecin me shpejtesi apo duke mos ndaluar në vijat e bardha, duke rrezikuar jetët e këmbësorëve dhe duke kryer aksidente përditë.

Çfarë vepron drejtesia, gjykatat dhe prokuroria ?
Mbi çdo hallkë shtetërore të sigurisë rëndon përgjegjësia për veprime apo mosveprime, në lidhje me rendin dhe sigurinë në vend, por sistemi i drejtesise është ai që vulos shkatërrimin e tij.
Personi që ishte target i sulmit tek Don Bosko ishte i dënuar nga drejtesia italiane, i ishte bllokuar një pasuri prej 5 milione euro nga OFL, i ishin gjetur shenjat e gishtave në një arsenal armësh, ishte i dyshuar për një masakër të vrasjes së tre personave, por kjo sdo të thotë asgje për gjyqtaren e cila e dërgon ne arrest shtëpiak dhe ai pas kësaj largohet me qetësi jashtë shtetit.
A do të vriteshin 20 veta, a do të ndodhte masakra e Don Boskos, e Fushë Krujës, Astirit, Bllokut, etj, nëse drejtësia do të funksiononte dhe palët do të ishin burgosur dhe të kishin marrë dënimin sipas ligjit që në fillim ?!

Së fundmi, i kthehem pyetjes së titullit: Çfarë i bashkon vrasjet nga aksidentet, vrasjet e krimineleve, qeverinë, gjykatat dhe policinë ?
Ato që i bashkojne jane vesi, krimi dhe papërgjegjshmëria.
Tek ata që kryejnë aksidentin, vesi i mburrjes, drogës, alkolit si dhe të papërgjegjshëm se cmund ti shkaktojnë vetes, apo të tjerëve që ecin në rrugë.
Tek ata që kryejnë vrasje, vesi apo krimi, i vrasjes, vjedhjes, drogës dhe trafikimit të saj, i bixhozit, korruptimit të zyrtareve si dhe papërgjegjshmëria për pasojat e këtyre veseve dhe krimeve, që po vrasin të pafajshëm në sy të fëmijëve të tyre, si zonja që punonte tek ai lokal, por edhe po shkatërrojnë Shqipërinë duke e e bërë arenë bandash.
Tek qeveria, kryeministri dhe ministrat, vesi apo krimi, i korrupsionit apo me shqip vjedhjes dhe bashkëpunimi ne krim, si dhe papërgjegjshmëria ndaj detyrës së tyre. Qeveritarët duke mos kryer detyrën e tyre, por duke pasur pikësynim korrupsionin, vjedhjen, tenderat, apo incineratorët etj, e kanë shkatërruar vendin në një nivel të tillë qe njerzit po largohen prej tij.
Tek policia dhe gjykatat, po të njëjtat vese apo krime. Korrupsioni dhe bashkëpunimi me kriminelët duke u bërë palë me ta. Ata që ndajnë paratë bashkë sigurisht që janë bashkëpunëtorë. Ata policë që lejojnë kalimin trafiqeve e kriminelevë, prishin apo anashkalojnë provat në këmbim të parave, sigurisht që janë kriminelë.
Ata gjykatës dhe prokurorë që lirojnë nga burgu vrasësit dhe kriminelët, pikërisht ata jane vrasësit dhe kriminelet më të këqinj.

Ne nuk vuajm se qeveritaret, gjykatësit, prokurorët dhe policet tanë janë të paaftë apo të pashkolluar mirë. Jo, jo, në shumicën e rasteve ata janë të shkolluar mirë dhe shumë mirë, kanë kryer studime të larta, specializime dhe doktoratura në vende dhe universitete nga me të mirat.
Problemi kryesor i tyre është se këta nuk kanë mësuar kurrë që, në pozicionet e punës ku punojnë apo ku drejtojnë, nuk janë për të bërë sa më shumë lek, por janë për të kryer detyrën. Ata kanë mësuar mirë në shkollë, por nuk kanë mësuar të rrinë pa vjedhur. Ata nuk kanë mësuar kurrë se ç’është morali.
A ka problem më të madh në shtetin tonë sesa vesi dhe pamoralshmëria?

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re