Etikisht, njeriu kurrë nuk do pranonte se ka prejardhjen nga majmuni. Natyrshëm ai do që të ketë qenë njeri që në fillim, pa pranuar të ketë qenë kafshë dikur, aq më tepër majmun. Tek e fundit, referimi zoologjik për të, sipas një shprehjeje të shumënjohur mbi anën e errët të tij, është ujku – “Njeriu për njeriun është ujk”, si përshkrim i rendit kapitalist.

Ndaj, të hasësh shkrime në media ku potencohet prejardhja e njeriut nga majmuni është po aq shokues sa dhe  vijimi i kësaj teze mizore, këtij determinimi kinse shkencor që e poshtëron njeriun deri në këtë nivel sa ta konsiderojë veten një pasmajmun. Një teori darviniste e cila bazohet te rastësia e gjërave në këtë botë, siç thuhet dhe aty, në një shkrim të botuar në ATSH.

“‘Studimi ynë fillon të shpjegojë sesi evolucioni na hoqi bishtin, një pyetje që më ka intriguar që kur isha i ri’, tha autori kryesor i studimit Bo Xia.

Duke parë mostrat e ADN-së të njerëzve, majmunëve pa bisht dhe majmunëve, shkencëtarët zbuluan se këtij të fundit i mungon një pjesë e kodit gjenetik të ndarë nga të dy të parët.

Kjo ndodhi jo nga mutacioni – termi shkencor për ndryshimet brenda ADN-së – por nga një tjetër kod gjenetik ‘copë’ i njohur si AluY, i cili u fut rastësisht te njerëzit e hershëm dhe majmunët pa bisht gjatë kohërave parahistorike, sipas studimit të publikuar për Nature”.

“Njeriu nga majmuni” është ndoshta marrëzia më e madhe që ka prodhuar njeriu mbi veten, e cila në thelb ka mosnjohjen e Krijuesit, Zotit që e ka krijuar, atë, botën, galaktikat, jetën dhe vdekjen e çdo krijese.  Pra, mjaft të mos zotërosh të vërtetën bazë, atë thelbësore mbi faktin se nga kush je krijuar dhe pse, për të prodhuar marrëzi pa fund.

Dhe këtu po sjellim në kujtesë një prej ligjërimeve më fantastike të një hoxhe të ndjerë të Maqedonisë, i famshmi Jakup Asipi, i cili në mënyrën e vet më origjinale e ka demantur edhe me logjikë të shëndetshme, por dhe me përtallje, teorinë e Evolucionit, pra prejardhjen e njeriut nga majmuni. /tesheshi.com/  

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re