Detaje të reja kanë dalë nga çështja penale, që flet për arrestimin e zyrtarëve të Bashkisë Dimal (ish-Ura-Vajgurore). Në dosjen hetimore janë dhjetëra raste paligjshmërie, të dokumentuara nga prokuroria e Posaçme SPAK, ku zyrtarë të Bashkisë Ura Vajgurore në Berat, kanë abuzuar rëndë me detyrën, duke u marrë qytetarëve shuma financiare që variojnë nga 2 mijë deri në 3 mijë euro.

Gjatë operacionit për arrestimin e personave dhe kontrollit të banesave, oficerët e policisë së Shtetit dhe BKH-së, kanë sekuestruar në banesën e Arjan Demirit, një shumë prej 25 mijë paund si dhe një armë gjahu. Në përgjimet e kryera përgjatë 1 viti, vihet dukshëm re komunikimi mes zyrtarëve të bashkisë, për miratimin e lejeve të ndërtimit, kundrejt pagesës. Ndërsa njeriu më aktiv në veprime korruptive, rezulton të jetë Përgjegjësi i Transportit, pranë kësaj bashkie, i arrestuari Arben Guraj.

Në përgjimet e kryera me kërkesën e prokurorit të SPAK Elvin Gogaj, rezultojnë episode që tregojnë bisedat e zyrtarëve të Bashkisë Ura-Vajgurore, të cilët gjatë komunikimit mes njëri-tjetrit, mbajnë qëndrime poshtëruese dhe fyese ndaj qytetarëve që ndërtojnë pa lejë. Sapo ata evidentojnë rastin, zyrtarët paraqiteshin tek qytetarët duke i marrë 2 mijë deri në 3 mijë euro.

Qytetarët që ndërtonin pa lejë si Dritan Kalivaçi, Fitim Dushku, Adriatik Vrapi, Kimet Dervishi dhe Arben Dyli, janë detyruar të paguajnë shuma monetare në këmbim të ndërtimit pa lejë ose nxjerrjes së një leje provizore. Gjatë një bisede të përgjuar mes Arben Guraj dhe njërit prej personave të proceduar zhvillohet një komunikim i tillë: ”…unë i mora 2 mijë euro atij legenit që po ndërtonte, tani shkoi ti mbaro punë…”. Ndërsa personi tjetër ja kthen se ishte i zënë për momentin dhe kishte punë.

Nisur nga kjo situatë Arben Guraj, ia kthen se: ”…shiko mos u merr shumë vetëm me punën e shtetit. Punët e shtetit nuk mbarojnë asnjëherë,… por shiko mbaro punët private…”. Në dosje janë dhe shumë episode të tjera korruptimi, që tregojnë qartë implikimin e të arrestuarve. Në materialin hetimor thuhet se ka qenë seksioni i krimit ekonomik në policinë e Beratit, që ka dërguar relacion informativ për hetimin e zyrtarëve.

Oficerët kanë marrë informacione në rrugë operative se mbi veprimet korruptive të Përgjegjësit të Transportit, pranë Bashkisë Ura Vajgurore, Arben Guraj. Arben Guraj gjatë ushtrimit të detyrës së tij, jep kontribut të paligjshëm duke përdorur ndikimin e tij dhe shfrytëzuar lidhjes dhe pozicionin e punës në këtë bashki, për pajisjen e qytetarëve të ndryshëm të bashkisë Ura Vajgurore me Vërtetim të Vetëdeklarimit të Punimeve, për restaurimin e objekteve të banimit dhe më pas në këto objekte kryhen ndërtime të paligjshme, kundrejt pagesave të ndryshme.

Nga përmbajtja e përgjimeve telefonike, ka rezultuar se në vijim Arben Hysen Guraj, me ndërmjetësimin e personit tjetër Altin Pali, me detyrë drejtor i zyrën e Urbanistikës, ka kontraktuar persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike dhe në bashkëpunim mes palëve, kanë kryer veprime konkrete me qëllim pajisjen me leje ndërtimi, kundrejt përfitimit të parregullt. Si person ndërmjetës në këtë veprimtari kriminale ndërmjet të dyshuarve, ishte caktuar Arben Guraj me ndërmjetësimin e personit nën hetim Altin Pali.

Guraj, jo vetëm që mbante komunikime të shumta telefonike me bashkë të dyshuarit e tjerë në këtë hetim, por edhe kontakte të drejtpërdrejta, në ambientet e punës dhe jashtë saj, si gjatë orarit të punës ashtu edhe jashtë orarit zyrtar. Nisur nga kjo situatë prokurori i SPAK-ut, ka vendosur të arrestojë Arben Guraj, Altin Palin, V.J, Agim Çunaj, Arjan Demirin, Vait Koshin. Ndaj 5 zyrtarëve SPAK ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Ndërsa për shefen e sektorit të Urbanistikës në këtë Bashki, shtetasen V.J, është kërkuar masa e “Arrestit në shtëpie”. /Marrë nga Ora News

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re