Autorja e audios e cila u shpërnda me shpejtësi nëpërmjet Whatsapp,
se në Shqipëri ka mbi 12 raste me koronavirus, thotë se është
identifikuar dhe është thirrur të dëshmojë në polici për përhapje të
“lajmeve fake”. “Është bërë problem i madh”, dëgjohet të thotë në audion
e dytë, teksa u ka kërkuar duke iu lutur vajzave të grupit të punës, ku
dhe kishte nisur mesazhin e parë, si edhe të gjithë personave të tjerë
që ta fshinin.

“Goca kjo audio është e imja. E kam nisur te grupi i punës para pak orësh dhe ju lutem, ju lutem, ju lutem fshijeni. Të gjithë njerëzve që ua keni dërguar thuajini fshijeni se unë nesër kam për të shkuar në polici dhe kam për të dhënë deklaratë gjasme për lajme fake.  Të lutem kushdo që e merr këtë audio, ti thonë që ta fshini dhe mos ta shpërndajë më se është bërë problem shumë i madh. Ju lutem, ju lutem, ju lutem fshijeni”, thotë vajza në audion e dytë. 

Por çfarë thoshte ajo në audion e parë? Ajo, duke cituar vjehrrën e motrës së saj thotë se mbi 12 raste janë regjistruar vetëm këtë javë, por shteti po e fsheh këtë gjë, ndërkohë që jep edhe disa këshilla se si duhet të mbrohen.

“Goca, se po më shkruante motra tani. Vjehrra e motrës time është
mjeke në spital dhe na mori në telefon dhe na ka thënë që janë
konfirmuar shumë raste me koronavirus në Shqipëri, kështu që evitoni
kafet e mbyllura ku ka shumë njerëz, autobusat, përdorni higjienizues,
mos i takoni njerëzit, thojuni “mirëmëngjes” “mirëdita”, por mos u jepni
duart që të keni kontakt me frymëmarrjen. Pini lëng portokalli se
forcon imunitetin se kush ka imunitetin e dobët më i rreziku dhe çështja
është se do përhapet në masë, se nuk kemi as kushtet e duhura për t’i
mbajtur në karantitë të infektuarit tha ajo. Nuk është për të përhapur
panik, por bëni kujdes me këto gjërat kështu. Mbani gjithmonë
higjienizues me vete, lani duart sa më shpesh, nëse hipni në autobusa
shpesh merrni maska se nuk i dihet. Nuk është bërë akoma publike se nuk e
lejon shteti domethënë mbi 12 raste vetëm javën e fundit”, thoshte
vajza, identiteti i së cilës nuk është bërë ende publik. Megjithatë
ndonëse ajo thotë se është thirrur në polici, nga uniformat blu nuk
është dhënë një njoftim zyrtar që është identifikuar.

Lidhur me këtë pati një reagim edhe nga ministria e Shëndetësisë, ku sqaroi se informacioni është i pavërtetë dhe këshilloi lexuesit që t’u referoheshin vetëm burimeve zyrtare.

“Të gjitha informacionet që përhapen në rrugë jo zyrtare, në rrjete sociale, media, nuk duhet të merren në konsideratë pasi nuk referojnë situatën reale dhe dëmtojnë mbi të gjitha sigurinë publike duke përhapur panik të panevojshëm. Aq më pak duhen besuar mesazhe zanore dashakeqe, të sajuara dhe hedhur në qarkullim njësoj si ato të pak muajve më parë pas situatës së tërmetit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën me dije se të
gjitha informacionet mbi situatën e koronaviriusit publikohen në faqen
zyrtare të MSHSH dhe në profilet e saj në rrjete sociale dhe media.
MSHMS publikon çdo ditë informacionin zyrtar mbi koronavirusin në
përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon të gjithë qytetarët që kanë
udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës
Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenje klinike”, njofton ministria.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re