Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastiruliu bëri të ditur këtë të hënë se në Shqipëri janë dyshuar pesë persona si të infektuar me koronavirus. Por pas analizave të bëra, ajo sqaroi se ata kanë rezultuar negativë, pra nuk e kishin virusin vdekjeprurës. Manastirliu deklaroi para Komisionit të Shëndetësisë se janë marrë të gjitha masat për ta përballuar përhapjen e korornavirusit.
“Dua që të informoj komisionin se nga ISHP janë realizuar të gjitha trajnimet për specialistë në të gjitha strukturat e kujdesit parësor. Edhe ne spitale janë marrë masa dhe dhomat e izolimit janë funksionale nëse ka raste për të dyshuarit me koronavirus. Ka 5 raste te dyshuara me një histori udhëtimi me Kinën të cilët janë testuar dhe kanë dalë negative. Pra deri më tani Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus. Shërbimi infektiv është pajisur me të gjitha mjetet e mbrojtjes personale. Kemi dhe një strukturë prites për karantinë në vend, vendi është i përcaktuar me kushtet më të mira.”
Numri i të vdekurve nga koronavirusi ka shkuar në 910, nga të cilët 908 janë në Kinë. 40 mijë njerëz rezultojnë të infektuar, 187 mijë të tjerë janë nën vëzhgim dhe priten analizat për të specifikuar nëse janë apo jo të prekur.
