Policia e Korçës ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, pasi dyshohet se transportonin në mënyrë të paligjshme 15 emigrantë drejt vendeve të BE-së.

Sipas policisë, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

Njoftimi i policisë:

Qarku Korçë

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Në kuadër të tij, goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

U kap duke transportuar 15 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas.

Shpallen në kërkim edhe 2 bashkëpunëtorë të dyshuar të tij.

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Komisariatin e Policisë Maliq në vijim të operacionit policor “Perimetri”, është goditur një tjetër rast i aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Sh., 39 vjeç, banues në fshatin Prezë, Tiranë, si edhe u shpallën në kërkim shtetasit M. S., 21 vjeç dhe L. Ll., 23 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi M. Sh., është kapur nga shërbimet e Policisë në rrugën Zëmblak-Zvezdë, në afërsi të fshatit Burimas, Maliq, duke transportuar me mjetin triçikël tip “Kama” 15 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se edhe dy shtetasit e tjerë janë të implikuar në këtë ngjarje si bashkëpunëtorë të 39-vjeçarit M. Sh.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re