Deputeti demokrat, Gazment Bardhi e ka konsideruar krejtësisht qesharak vendimin e marrë nga kryedemokrati Basha për përjashtimin e 11 deputetëve nga Grupi Parlamentar. Ai thekson se Bashës i mungon legjitimiteti dhe forca për të ndërmarrë të tilla akte, teksa e konsideron si të pavlerë shkresën e firmosur nga kryedemokrati.

 

“Merreni me të qeshur dhe boll harxhuat rreshtat me çfarë bën Lulzim Basha. Përvecse humorit tek çdo mendje normale njerëzore, kanë zero efekt. Është fiks si pohimi “falë mundit tuaj nga sot Edi Rama nuk është më Kryeministër”, që demokratët e dëgjonin pas çdo proteste në 10 vjet opozitë!

Si njëri nga deputetët e PD, Lulzim Basha nuk ka as legjitimitetin, por as forcën për të përjashtuar askënd. Ndryshimi i përbërjes së grupit parlamentar mund të ndodhë VETËM me vendim të grupit parlamentar. Përtej kësaj, asnjë copë letre, asnjë firmë dhe asnjë vulë e keqpërdorur në ilegjitimitet, nuk ka vlerë”, tha ai.

 

Ai iu bëri thirrje deputetëve të opozitës që të mos humbasin kohë me të tilla vendime, por të përqendrohen tek kundërshtari.

Sipas tij, qëllimi kryesor i lëvizjeve të tilla nga Basha është pikërisht shpërqendrimi i opozitës nga aktet korruptive të qeverisë.

 

“Ftoj secilin koleg të përqëndrohet tek skandali i Edi Ramën me korruptimin e një zyrtari të FBI, që pranoi fajësinë dhe marrëdhënien e biznesit me Kryeministrin, si dhe tek sjellja skandaloze e Edi Ramës në raport me zhvillimet në Kosovë.

Aktet qesharake që bëhen për të zhvendosur vëmendjen nga këto dy çështje nuk mund të marrin asnjë sekond nga veprimtaria e Grupi Parlamentar të PD. Zhvendosja e vëmendjes është interes i Edi Ramës, por jo i demokratëve dhe opozitarëve”, shton ai.

 

Ai i bëri thirrje gjithashtu edhe kryedemokratit Basha që të fokusohet në çështje që nuk i shërbejnë forcimit të pushtetit të Edi Ramës, por dobësimit të tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re